Gentian Dyrmishi, përgjegjës në sektorin e kalimit të pronësisë të trojeve pa titull në Drejtorinë Vendore të Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan dhe Juliana Sinani, përgjegjëse në sektorin e Hartografisë dhe Regjistrimit në Drejtorinë Vendore të ASHK-së Elbasan, iu përgjigjën interesit të qytetarëve, duke sqaruar procedurat e fitimit të certifikatës së pronësisë.
“Drejtoria jonë sapo ka bërë një legalizim të një pallati 12-katësh, me dy kate nëntokë, në tërësi të certifikuara 120 njësi, të përkthyera në bodrume, apartamente dhe dyqane”-, bëri të ditur Dyrmishi në nisje të bashkëbisedimit me qytetarët.
I pyetur për fitimin e pronësisë të një trualli dhe ndërtese të para vitit 1991, për të cilën i interesuari nuk kishte asnjë lloj letre pronësie, Dyrmishi bëri të ditur se përmes vendimit të qeverisë së vitit 2018, tashmë këtij ngërçit i jepet zgjidhje.
“Mesa kuptojmë nga pyetja kemi të bëjmë me një ndërtesë të regjistruar para 10/08/1991, pra datë limit që përcakton VKM e vitit 2018 për regjistrimin e pronësisë, një vendim që bën të mundur regjistrimin apo çregjistrimin e ndërtesave të vjetra.
Për ndërtesat e kësaj natyre duhet plotësuar një formularë aplikimi tip, që të mundëson që ne si drejtori të investohemi në këtë procedurë, që ka disa faza dhe që ndihmon në miratimin e këtij vendimi. Ajo që mund të arrihet është regjistrimi i kësaj ndërtese dhe sipërfaqes limit 300 metra katrorë”, – theksoi Dyrmishi.
Lidhur me problematikën e blerjes së tokës nga shteti, Dyrmishi sqaroi opinionin publik se falë Vendimit të Këshillit të Ministrave të këtij viti, me numër 321, problemit të kontratave për këtë kategori pronash i është dhënë zgjidhje.
“Kemi të bëjmë me kontrata të lidhura gjerësisht me këshillat e rrethit, të cilat për dekada kanë pasur probleme dhe ky ngërç është zgjidhur me VKM. 321 të vitit 2019. Tashmë duhen vetëm katër dokumente për të marrë certifikatën e pronësisë; Vendimi nga organi këshillit për miratimin e tokës, ku do bëhet ndërtimi. Duhet kontrata noteriale, fatura e pagesës nga ana e juaj, si dhe të ekzistojë dokumentacioni i rregullt për ndërtesën”, – bëri të ditur Dyrmishi.