Prokuroria ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë së Vorës, Gentian Picari.
Picari është emëruar në postin e nënkryetarit nga Agim Kajmaku, pasi ky i fundit u shkarkua nga KQZ si kryetar i Bashkisë së Vorës, për shkak se u vërtetuan akuzat e opozitës, se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash.
Agim Kajmaku është shpallur në kërkim prej disa ditësh, por nuk dihet vendndodhja e tij.
Pas shkarkimit nga KQZ, u zbulua se Kajmaku kishte firmosur emërimin e dy nënkryetarëve të rinj të bashkisë, njëri prej të cilëve Gentian Picari. Ky i fundit ka bërë kërkesë që t’i rikthehet telefoni.
Ndërkaq, ndonëse është në arrati dhe me një urdhër arresti nga pas, Agim Kajmaku kërkon lirinë. Ish-kreu i bashkisë Vorë ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur nga gjykata. Masa u dha në mungesë, ndërsa policia vijon ende kërkimet për gjetjen e ish-zyrtarit socialist.
Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për të.
Po kështu mësohet se Gjykata urdhëroi kontrollin e banesës së Kajmakut për të gjetur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.
Kajmaku i zgjedhur kryetar i Bashkisë Vorë më 30 qershor, u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi.
Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 te Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.
Mësohet se pas vendimit të KQZ, Kajmaku ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë, megjithëse edhe vetë ishte zyrtarisht i shkarkuar si titullar i bashkisë Vorë.
Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.