Rreth 268 milionë euro është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit nga administrata.
Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se për afatin kohor 2016-2018 shkeljet financiare kanë qenë të mëdha dhe janë nxjerrë në pah nga 122 auditime të kryera për periudhën janar-shtator 2019.
KLSH e ka ndarë dëmin e konstatuar në dy pjesë, ku të parën e përbën ajo e parregullsive të konstatuara në të ardhura dhe shpenzime dhe të dytën shkelja e disiplinës financiare, që ka rezultuar me efekt negativ në performancë.
Sa i takon kategorisë së parë shkeljet më të shumta janë kryer në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ku nga keqadministrimi i pronës shtetërore të dhënë me qira dhe koncesionet i kanë shkaktuar buxhetit një dëm prej 20.6 miliardë lekësh.
Po ashtu nga prokurimet publike dhe gabimet e kryera nëpër procedura kanë shkaktuar një dëm në vlerën e 464.1 milionë lekëve.
Ndërkohë sa i takon kategorisë së dytë në fushën e të ardhurave shumica e shkeljeve janë konstatuar në sistemin tatimor me një dëm në buxhet prej 2.2 miliardë lekë.
Ndërsa sa i takon shpenzimeve 2.5 miliardë lekë dëm është shkaktuar nga shpenzimet operative dhe 2.3 miliardë nga procedurat e prokurimit.
Në këtë raport KLSH ka analizuar edhe disa nga institucionet kryesore dhe ka dhënë mesazhet përkatëse për institucionet e konstatuara në shkelje.