Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka folur me tone të ashpra pas takimit 30-minutësh me Presidentin Ilir Meta.
Duke sulmuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin e drejtësisë, KLP, KED dhe Gjykatën Kushtetuese, Berisha iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve nëse ka diskutuar me Metën për shpërndarjen e Parlamentit.
Jashtë dyerve të Presidencës, Berisha deklaroi se nuk e ka diskutuar një gjë të tillë, por nëse ai do të ishte President, do ta kishte shpërndarë. Sipas tij, atij Parlamenti duhej t’i ishin gozhduar dyert që në shtator.
“Nuk kam diskutuar për shpërndarje Parlamenti. Absolutisht do ta kisha shpërndarë. Ky Parlament në vlerësimin tim nuk mund të mblidhej kurrë në shtatorin që kaloi, pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme, sepse Parlamenti është në thyerje të rëndë të Kushtetutës. Ai Parlament meritonte gozhdimin e dyerve që në shtator”,- tha Berisha.