Gjermania e kancelares gjermane, Angela Merkel, kërkon një rikthim të shpejtë të Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizim të raporteve të drejtuara nga Bashkimi Evropian.
Për rinisjen e negociatave, ndërkohë ajo tregon se ka bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me partnerët, Francën dhe SHBA-në.
Teksa fundi i vitit afrohet, përpjekjet dhe presionet për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa vijnë e shtohen. E vetmja pengesë aktuale për rikthimin në tavolinën e bisedimeve është mungesa e një qeverie në Kosovë, që pritet së shpejti të ngjizet nga një koalicion LDK-VV pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Megjithatë, edhe përkundër kësaj situate, takimet e niveleve të larta Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të shteteve të fuqishme të BE-së nuk mungojnë.
Të mërkurën në Paris, me iniciativë të presidentit të Francës, Emanuel Macron, është zhvilluar një takim në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në të cilin është folur për dialogun dhe nevojën për zhbllokimin e tij.
Një rinisje të shpejtë të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian e kërkon edhe Gjermania e kancelares Angela Merkel. Kështu ka thënë ekskluzivisht për Gazetën Express një zëdhënës i qeverisë gjermane.
“Gjermania mbështet plotësisht një rifillim të shpejtë të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë zyra për media e Qeverisë gjermane.
Ndërkohë pas takimeve në Paris të kësaj jave, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka folur edhe për një plan të presidentit të Francës, Emanuel Macron, për një takim të mundshëm Kosovë – Serbi që do të mbahet në kryeqytetin francez.
Por a ka koordinim gjermano-francez për një plan të tillë, apo është një iniciativë personale e presidentit Macron
Zyra e kancelares Merkel thotë se ka një koordinim, duke treguar se janë marrë vesh të bashkëpunojnë rreth asaj se si do të veprohet pas Samitit të Berlinit, i cili ishte mbajtur më 29 prill të këtij viti.
“Franca dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë për atë sesi të veprohet tutje pas Samitit të 29 prillit në Berlin”, thekson përgjigjja.
Tutje Qeveria e kancelares Merkel thotë se e mirëpresin mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për Ballkanin dhe tregon së bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë amerikane për synimet që i kanë.
“Gjermania mirëpret mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për Ballkanin dhe për synimet tona koordinohemi ngushtë me qeverinë amerikane”, ka thënë ky zëdhënës i qeverisë gjermane.