Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik. Ky tender synon të përmirësojë sistemin e shërbimit kombëtar të punësimit.
Fondi, prej 107 milionë e 47 mijë e 200 lekë financohet nga Buxheti i Shtetit. Nevoja për këtë investim, sipas specifikimeve të tenderit, ka ardhur pas konstatimit të problematikave të sistemit të shërbimit.
“Në mënyrën si është ndërtuar, duke konsideruar kohëzgjatjen dhe funksionet fillestare bazë, si regjistër për dy klientët e zyrës se punësimit dhe vendeve të lira të punës, SSHP nuk mundëson shumë fleksibilitet për të aplikuar kërkesat e reja si për ndryshimet në legjislacion dhe në proceset e punës sipas metodologjive të reja qe aplikohen.
Në kushtet kur janë bërë zhvillime të pjesshme apo janë futur elementë shtese për ta përditësuar gradualisht me ndryshimet ligjore e procedurale (edhe këto në mënyrë të limituar për efekt të pamundësisë qe ofron gjendja aktuale e tij) është vënë re se në ngarkesë pune të plotë sistemi performon mjaft ngadalë, nuk arrin të ruajë në kohë të dhënat e regjistrimit apo i humb ato” renditet në disa nga arsyet e zhvillimit të projektit.
Nëse nisemi nga detajet e dokumentacionit që i bashkangjiten tenderit, qëllimet janë të shumta, por shumatorja e tyre është ‘investim për sistemin digjital’.
“Me konkretisht synohet qe nëpërmjet këtij projekti të behet përmirësimi i sistemit të shërbimeve të punësimit qe mund të realizohet nëpërmjet: Përmirësimit të sistemit duke krijuar një sistem unik dhe cilësor në shërbimet e punësimit, të aftë për të kontribuar në zhvillimin vazhdueshëm të aftësive profesionale dhe qytetarisë aktive të të rinjve dhe të rriturve; Ndërtimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve të partneritetit me aktorë të tjerë në tregun e punës; Zhvillimit të teknologjisë se informacionit (IT) në shërbimet e punësimit si një faktor kyç për përmirësimin e cilësisë se shërbimeve; Përmirësimit të procesit aktual, referuar profilizimit të punëkërkuesit; Përmirësimit të proceseve të punës, nisur nga ndryshimet ligjore dhe kërkesat specifike në procedurat e ofrimit të shërbimeve në strukturat përkatëse të punësimit” shkruhet më tej në detajet e projektit.
Për të gjithë personat që shfaqin interes, tenderi i shpallur në APP do të qëndrojë i hapur deri në 9 dhjetor, ora 12:00, si dhe ka një afat 9 mujor për ekzekutim, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.