Fieri dhe Tirana janë dy qarqet ku u regjistruan shpenzimet më të larta për konsum nga familjet.
Instituti i Statistikave, INSTAT, publikoi vjetarin statistikor, i cili paraqet një vështrim gjithëpërfshirës të treguesve statistikorë më të rëndësishëm të vendit, në nivel qarku dhe bashkie.
Përsa i përket shpenzimeve në nivel qarku sipas nivelit të arsimit të kryefamiljarit vihet re që shpenzimet më të larta janë regjistruar në kategorinë e kryefamiljarëve me arsim të lartë apo pasuniversitar ndjekur nga kategoria e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale.
Vlerat më të larta të shpenzimeve për vitin 2018 në kategorinë e arsimit të lartë/pas universitar janë regjistruar në qarqet Fier dhe Tiranë, ndërsa vlerat më të larta për kategorinë e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale janë regjistruar në qarqet Tiranë dhe Korçë.
Qarqet Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë kanë regjistruar rritje të shpenzimeve për konsum në vitin 2018 për të tre kategoritë e arsimit të përfunduar të kryefamiljarit, ndërkohë për të njëjtat kategori në qarqet Dibër dhe Durrës shpenzimet kanë shënuar ulje, krahasuar me vitin 2016.