MENU
klinika

Kush gëzon dhe kush jo?

Transporti ndërkombëtar/ Furnizime me zero TVSH

19.11.2019 - 14:36

Ditën e sotme Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar informacionin lidhur me transportin ndërkombëtar dhe shërbimet e lidhura me të.

Duke ndjekur udhëzimet e njoftimit do të trajtohen si furnizime me shkallë zero të TVSH-së, transaksionet e mëposhtme të transportit ndërkombëtar:

-furnizimi me karburant dhe me rezerva të tjera të nevojshme, për lundrimin në det të hapur të:

-anijeve për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve me pagesë ose;

-anijeve për ushtrimin e veprimtarive tregtare, industriale e të peshkimit;

-anijeve për kryerjen e veprimeve të shpëtimit dhe ndihmës në det;

-anijeve për peshkimin bregdetar, përveç furnizimit me rezerva të tjera të nevojshme;

-furnizimi me karburant dhe me rezerva të tjera të nevojshme të anijeve luftarake të përfshira në kodin e Nomenklaturës së Kombinuar (NC) 8906 10 00;

-furnizimi i shërbimeve të lidhura me anijet;

-furnizimi me karburant dhe me rezerva të tjera të nevojshme të mjeteve fluturuese, që përdoren nga kompanitë e transportit ajror për transport ndërkombëtar me pagesë;

-furnizimi i shërbimeve të kryera për mjetet fluturuese, që përdoren nga kompanitë e transportit ajror për transport ndërkombëtar me pagesë.

Sipas DPT, në lidhje me shërbime të lidhura drejtpërdrejtë me mjetet për transport ndërkombëtar detar dhe ajror do të trajtohen si furnizime me zero % të TVSH-së, furnizimet e mëposhtme:

-Për anijet që janë të licencuara për aktivitetin e tyre ndërkombëtar sipas legjislacionit shqiptar apo të huaj të fushës:

-Anijet e përdorura për një veprimtari industriale në det të hapur dhe për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve me pagesë;

-Anijet e posaçme të licencuara për peshkimin profesional, vetëm kur peshkojnë në ujëra ndërkombëtare;

-Anijet e shpëtimit dhe të asistencës në det, përfshirë anijet e pilotimit dhe ormexhimit.

Dokumentacioni justifikues që duhet të ketë personi i tatueshëm që kryen furnizimet sa më sipër, është i gjithë dokumentacioni sipas legjislacionit të fushës, që të vërteton kryerjen e furnizimit për mjetet si më sipër.

Për këtë, ai duhet të pajiset edhe me një vërtetim/deklaratë noteriale të lëshuar nga blerësi (zotëruesi i anijes), për çdo shërbim të kryer që dëshmon se anija që furnizohet, kryen aktivitetin ndërkombëtar sipas kushteve të përcaktuara në këtë nen të ligjit, shkruhet në informacionin e publikuar.

Nuk përfshihen në trajtimin si më sipër, veçanërisht anijet që nuk janë pjesë e këtyre kategorive.

I tillë është rasti i:

-anijeve të përdorura për një veprimtari industriale brenda ujërave territoriale;

-anijeve të kultivuesve të midhjeve, kultivuesve të stridheve, kultivuesve të butakëve;

-anijeve për qëllime sportive ose për argëtim;

-anijeve të Flotës Kombëtare.

Ndërsa për mjetet ajrore:

Konsiderohen si shërbime të kryera për nevoja të drejtpërdrejta të mjeteve fluturuese ose ngarkesës së tyre dhe trajtohen me shkallë zero të TVSH-së, furnizimet e shërbimeve të mjeteve fluturuese që përdoren nga kompanitë e transportit ajror për transport ndërkombëtar me pagesë.

Personi i tatueshëm që kryen furnizimet sa më sipër duhet të dokumentojë dhe të zotërojë të gjithë dokumentacionin e duhur sipas legjislacionit të fushës, që të vërtetojë kryerjen e furnizimit për mjetet fluturuese për transport ndërkombëtar dhe për nevoja të tyre.

Përjashtime

Nuk janë furnizime shërbimi me 0%, shërbimet e kryera për:

-mjetet fluturuese të përdorura për kompanitë ajrore, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e transportit ndërkombëtar, referuar legjislacionit të fushës;

-avionët, mjetet fluturuese për turizëm apo për përdorim privat.