Në datat 5-6 dhjetor 2019, Banka e Shqipërisë organizoi Workshop-in XIII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.
Prej trembëdhjetë vjetësh, ky aktivitet synon të ofrojë një forum për diskutimin e punëve kërkimore më të fundit mbi çështje ekonomike dhe financiare, të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë, bankierëve qendrorë, komunitetit akademik, studiuesve dhe politikëbërësve në rajon dhe më gjerë.
Këtë vit, Workshop-i ka në fokus të veçantë zhvillimet e sektorit të jashtëm dhe ato të stabilitetit financiar, si dhe implikimet e tyre për bankat qendrore dhe ekonominë. Megjithatë, në përputhje me traditën e tij, në të do të prezantohen edhe hulumtime multidisiplinare dhe kontribute teorike e empirike mbi çështje të tjera të lidhura me bankingun qendror.
Gjatë 2 ditëve të punimeve të Workshop-it do të prezantohen dhe diskutohen 26 materiale studimore, prej të cilave 8 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.