Në Presidencë u zhvillua ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur ngritjen e SPAK, pas betimit të 8 prokurorëve të kësaj strukture para Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Përmes një reagimi ambasadori theksoi se ky është një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.
“8 prokurorët e SPAK janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.”, tha diplomati.