MENU
klinika

Rrezikojnë fëmijët

Dibër/ Mbetjet spitalore hidhen përgjatë rrugës nacionale

16.12.2019 - 10:07

Vazhdon të mungojë shërbimi i duhur për grumbullimin dhe tërheqjen e mbeturinave në Dibër.

Përgjatë gjithë rrugës nacionale nga qyteti i Peshkopisë dhe deri në Maqellarë është e pushtuar nga mbetje të ndryshme.

Por ajo që e bën skandaloze këtë situatë është hedhja e mbeturinave spitalore po në të njëjtin vend me mbeturinat e tjera.

Ndonëse ka një procedurë dhe fond të veçantë për asgjësimin e mbetjeve spitalore, në Dibër ato hidhen në ambjent të hapur duke u bërë një rrezik i madh për banorët.

Këta të fundit thonë se mbeturinat nuk pastrohen në zonat urbane, ndërsa rruga nacionale është totalisht e braktisur në këtë drejtim. Ata ngrejnë alarmin për mbetjet spitalore, të cilat rrezikojnë fëmijët nëse i prekin ato.

Aksi nacional Peshkopi-Maqellarë vijon të ketë problem ndotjen, ndonëse duhej të ishte një ndër zonat më të pastra të Dibrës për shkak se në të kalojnë edhe turistë apo vizitorë të ndryshëm.