MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Erdogan: Lëkundja e fronit të sulltanit

30.12.2019 - 15:13

Presidenti Erdogan ka forcuar në dekadën që po e lëmë pas pushtetin e tij. Por fundi i dekadës dhe viti 2019 sollën ndryshime serioze, mendon Daniel Derya Bellut.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2003, Erdogani konsiderohej si një politikan reformator, i cili donte ta fuste Turqinë në Evropë. Por kritikët e tij edhe asokohe paralajmëronin “për ujkun në kopenë e deleve”. Ai është futur në “trenin e demokracisë” vetëm për t’u larguar në momentin e duhur.

U dëshmua se kritikët kishin të drejtë: Erdogani u largua nga ky tren – menjëherë pas largimit nga pushteti të rivalëve sekularë nga ushtria dhe drejtësia. Më pas ndoqi një rrugë krejt tjetër – në drejtim të sulltanatit. Filloi rrugëtimin në të kaluarën osmane.

Erdogan kthen kohën mbrapsht

Në vitet në vijim nuk mund ta ndalte askush – në mënyrë sovrane ai largonte nga rruga të gjitha pengesat. Protestat në Parkun Gezi, një skandal korruptiv dhe një përpjekje puçi, Erdogan i mbijetoi pa mundime të mëdha. Në qershor të vitit 2018 ai e futi edhe sistemin presidencial në vend, i cili e forcoi pushtetin e tij. Kritikët flasin për “regjim të një njeriu”. Sot sulltani jeton në një pallat me 1000 dhoma në Ankara. Ëndrra e tij është që në vitin 2023, në 100 – vjetorin e themelimit të Turqisë moderne, të nisë një epokë të re turke. Por pak para arritjes së këtij qëllimi, froni i tij ka nisur të lëkundet. Viti 2019 solli ndryshime – ëndrra e tij mund të dështojë.

Kriza ekonomike dhe fillimi i fundit

Pushteti i Erdogant ka nisur të lëkundet në verën e vitit 2018, kur filloi edhe kriza ekonomike. Për të ruajtur ekonominë e kontrolluar nga një kastë politike, ai investonte njëanshëm në ndërtimtari. Ndaj ekonomia turke është pak produktive dhe është futur në një krizë me turbulenca të mëdha monetare. Papunësia – në veçanti e të rinjve – ka arritur rekorde. Ndërkohë që çmimet e ushqimit, në radhë të parë frutave dhe perimeve, janë ngritur tepër.

Në zgjedhjet komunale në mars të këtij viti Erdogani pagoi faturat e para: Ai e humbi pushtetin në metropolet e mëdha. Në veçanti e dhimbshme ishte humbja në Stamboll – qendrën më të madhe ekonomike të Turqisë.

“Ai që humb Stambollin, e ka humbur Turqinë”

Erdogani nuk deshi ta dorëzonte pushtetin në asnjë mënyrë. Ai vuri nën presion komisionin zgjedhor dhe e detyroi t’i përsëritë zgjedhjet. Pa sukses. Një yll tjetër politik doli papritur në skenë – Ekrem Imamoglu.

Socialdemokrati nuk u shqetësua shumë nga përsëritja e zgjedhjeve, ndërsa ndaj urrejtjes së partisë AKP në pushtet iu përgjigj me dashamirësi. Imamoglu fitoi bindshëm edhe zgjedhjet e përsëritura ndaj kandidatit të Erdoganit, Binali Yildirim. Por as kjo nuk ishte goditja e fundit kundër Erdoganit: Imamoglu gëzon mbështetje të madhe. Mendohet se ai mund të fitojë madje edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Presionet nga jashtë dhe brenda

Humbjet e Erdoganit janë pasojë e strategjisë së tij përçarëse, e cila tani po i hakmerret. Parti të ndryshme opozitare – islamistët, nacionalistët, socialdemokratët dhe liberalët e majtë – krijuan një front të përbashkët kundër Erdoganit, përkundër diferencave të mëdha politike.

Pushteti i Erdoganit po lëkundet edhe brenda partisë së tij. Gati një milion anëtarë janë larguar ndërkohë nga partia e tij AKP. Miqtë e vjetër, si për shembull ish-kryeministri Ahmet Davutoglu, ish-ministri i Financave Ali Babacan apo ish-presidenti Abdullah Gül, kanë themeluar një parti të re. Ata mund të marrin vota shumë të rëndësishme nga zgjedhësit e Erdoganit dhe të dobësojnë krahun e tij konservator.

Erdogani e ka mbajtur pushtetin 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një lloj sulltani turk. Erdogani dukej si një monark i paprekshëm në fron. Por viti 2019 solli ndryshime të papritura, shumëçka është kthyer kundër sulltanit.

Në vitin 2023 Turqia feston 100 vjetorin e themelimit të shtetit modern – një ditë në të cilën kujtohet heqja e sulltanatit.

Daniel Bellut, Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Po hapi i radhës nga Presidenti i Turqisë?

“Lufta e ftohtë” mes Erdogan dhe Trump