MENU
klinika

Një fluks tjetër refugjatësh

Erdogan: Turqia nuk mund të përballojë më

23.12.2019 - 16:26

Turqia nuk mund të përballojë “një valë tjetër refugjatësh” nga Siria, paralajmëroi presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan të dielën (22 dhjetor).

Duke folur në një ceremoni çmimesh në Stamboll, ai tha se më shumë se 80,000 njerëz kishin ikur nga qyteti sirian i Idlib në kufirin turk për shkak të bombardimeve të intensifikuara siriane dhe ruse.

“Nëse dhuna ndaj njerëzve të Idlibit nuk ndalet, ky numër do të rritet edhe më shumë. Në atë rast, Turqia nuk do të bartë vetë një ngarkesë të tillë migruese”, tha ai.

Turqia pret 3.7 milion refugjatë sirianë, numri më i lartë në botë.

Në vitin 2015, 1 milion refugjatë kaluan nëpër Turqi, për të shkuar në Evropë duke shkaktuar të ashtuquajturën krizë migracioni.

Tani, Erdogan ka paralajmëruar për një krizë të re të refugjatëve në Evropë, duke thënë se “efektet negative të këtij presioni do të ndjehen nga të gjitha vendet evropiane, veçanërisht Greqia.”

Më 31 gusht 2019, Rusia shpalli armëpushim në Idlib, provinca veri-perëndimore e Sirisë në kufi me Turqinë.

Por armëpushimi u shkel disa herë dhe luftimet janë intensifikuar që nga 1 dhjetori.

Turqia gjithashtu dëshiron të krijojë një zonë të sigurt në veri-lindje të Sirisë në mënyrë që të zhvendosë refugjatët sirianë që aktualisht banojnë në Turqi.

Sipas Erdoganit, kjo është arsyeja pse Turqia pushtoi veri-lindjen e Sirisë, deri atëherë kontrolluar nga luftëtarët sirianë-kurdë që kishin ndihmuar një aleancë të udhëhequr nga SHBA kundër grupit militant islamik ISIS.

Ministrat e jashtëm të BE kundërshtuan më parë pushtimin turk, duke zemëruar Erdoganin.

Në fjalimin e tij të dielën, Erdogan tha se një delegacion turk do të shkonte në Moskë për të diskutuar situatën.

Përkthyer dhe përshtatur nga EuObserver/ konica.al