Modernizimi i Turqisë ka qenë një projekt nga lart-poshtë, i drejtuar nga elita për dy shekuj. Pas më shumë se 15 viteve të sundimit të Rexhep Tajip Erdogan, së pari si kryeministër dhe tani si president, qytetarët turq janë gjithnjë e më shumë të irrituar nga islamizmi dhe kronizmi që dominojnë kudo.
Erdogan ka arritur atë që liderët e mëparshëm të Turqisë nuk arritën ta bëjnë, të mobilizojë përkrahje masive për parimet themelore të Republikës Turke të sekularizmit dhe qeverisë moderne.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij zhvillimi të fundit, së pari duhet të kuptojmë modelin e modernizimit gjatë gjithë historisë turke.
Që nga vitet ’90, kur shtetarët osmanë u dërguan në Londër, Paris, Berlin, Vjenë dhe Shën Peterburg, elitat, themeluan institucione të reja si shkollat inxhinierike dhe përmirësuan institucionet e shtetit osman, më së shumti ushtrinë.
Qëllimi i reformatorëve ishte krijimi i një shteti modern.
Këto reforma të vonë osmane vendosën modelin që Republika Turke do të ndiqte: modernizimi si një përpjekje nga lart-poshtë, i përqafuar nga elitat qeverisëse dhe i mbështetur nga zyrtarë të rinj ushtarakë, të trajnuar profesionalisht.
Stili i Atatürk ishte pak më ndryshe nga ai i paraardhësve të tij osman. Por, ashtu si ata, ai favorizoi urdhrat nga lart poshtë, të zbatuar me shpejtësi nga një shërbim i zellshëm civil.
Kjo qasje kishte një mangësi: Ajo shkaktoi një shkëputje midis njerëzve dhe reformatorëve.
Erdogan mori vëmendje në fund të viteve 1999. Ai e prezantoi veten si përfaqësuesin e konservatorëve të lënë pas dore, duke premtuar se do t’i kthente pushtetin njerëzve. Ai pati një mbështetje befasuese edhe nga ata që nuk ishin konervatorë. Erdogan kryesisht e mbajti këtë mbështetje në dekadën e parë të sundimit të partisë së tij. Ekonomisti Dani Rodrik vlerëson se prodhimi i brendshëm bruto për frymë u rrit me 43% gjatë atyre viteve.
Megjithatë, suksesi ekonomik Erdogan përmbante një kontradiktë që dukej se dëmtonte platformën e tij islamiste: Klasa e mesme turke e pasuruar rishtas e gjen veten gjithnjë e më afër klasës së mesme globale, në shumë gjëra, por edhe në kërkesat e saj për liri dhe të mirëqeverisje.
Një raport nga Rrjeti Kontrollet dhe Bilancet, një koalicion i 260 organizatave të shoqërisë civile në Turqi, zbulon ëndrrat e qytetarëve turq për të ardhmen. Autorët e raportit bënë një thirrje publike për pjesëmarrje në 12 qytete turke, duke mbajtur takime me 515 njerëz.
Ëndrra e të anketuarve mund të përmblidhen si më poshtë: qytete të gjelbërta, arsim shkencor, qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe, më e rëndësishmja, një vend ku të gjithë mund të flasin pa frikë.
Vizioni i tyre ngjason me atë të njerëzve të klasës së mesme nëpër botë. Për herë të parë që nga fillimi i modernizimit, shoqëria është përpara elitave qeverisëse në kërkesat e tyre për një vend modern.
Kjo është dilema e Erdogan. Procesi i politikave të tij ekonomike ka krijuar një shoqëri që nuk është më në përputhje me stilin e tij të sundimit autoritar. Dhe atij po i mbaron koha.
Një gjeneratë e re udhëheqësish po shfaqet në Turqi, duke i bërë kërkesat për një vend modern, prioritetet e platformave të tyre. Kryetari i ri i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe ish-deputetët, Ali Babacan dhe Ahmet Davutoglu, janë shembuj të tillë.
Këta udhëheqës kërkojnë një Turqi në paqe me veten dhe fqinjët, të fortë dhe “elastike”, një shtet modern, me një shoqëri civile dinamike, dhe me qytetarë të lirë.
Sungur është drejtor ekzekutiv i Daktilo1984, një organizatë jofitimprurëse e mediave dixhitale me qendër në Turqi.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Wall Street Journal/ konica.al