MENU
klinika

Njoftimi i presidentit amerikan

SHBA-Kinë, 2020-ta sjell marrëveshje tregtare!

31.12.2019 - 20:41

Presidenti Donald Trump planifikon të nënshkruajë ‘’fazën e parë” të marrëveshjes tregtare me Kinën në Shtëpinë e Bardhë në 15 Janar.

Në një mesazh të martën në mëngjes, presidenti tha se “përfaqësues të Kinës” do të nënshkruanin. Trump shtoi se ai do të udhëtojë në Pekin “më vonë” për të filluar bisedimet për një pjesë të dytë të paktit të tregtisë.

‘’Unë do të nënshkruaj Marrëveshjen tonë Tregtare shumë të madhe dhe gjithëpërfshirëse me Kinën në 15 janar. Ceremonia do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë. Përfaqësues të nivelit të lartë të Kinës do të jenë të pranishëm. Në një datë të mëvonshme do të shkoj në Pekin ku do të fillojnë bisedimet në fazën e dytë!’’

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar se cilët zyrtarë të lartë kinezë do të jenë të pranishëm në nënshkrim.

Megjithatë thuhet se zëvendëskryeministri kinez Liu He, negociatori më i lartë i tregtisë në Pekin, mund të nënshkruajë marrëveshjen.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë arritën një marrëveshje të pjesshme të tregtisë në fillim të këtij muaji. Sipas paktit, Uashingtoni ra dakord të anulojë disa tarifa të reja dhe të zvogëlojë tarifat për disa tjera, dhe Kina tha që do të blinte më shumë produkte bujqësore amerikanë. Ai gjithashtu përfshin ndryshime në lidhje me pronësinë intelektuale dhe teknologjinë.

Trump e sheh marrëveshjen tregtare si një prioritet para zgjedhjeve të vitit 2020. Beteja tarifore midis SHBA dhe Kinës ka shqetësuar investitorët, të cilët kanë frikë se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike.

Trump, i cili dikur tha se do të preferonte të priste deri pas zgjedhjeve të vitit 2020 për të arritur një marrëveshje tregtare me Kinën, tani po bën presion për të vazhduar me një fazë të dytë.

Përkthyer dhe përshtatur nga The New York Times/ konica.al