MENU
klinika

Nga Financial Times

SHBA-në apo Kinën? Cilën do të zgjedhë Evropa?

09.12.2019 - 16:23

Samiti i NATO-s javën e kaluar nuk tregoi aspak unitet. Udhëheqësit e mbledhur tallën njëri-tjetrin pas shpine dhe patën disa zënka në mënyrë fëminore.

Por komunikata zyrtare e NATO-s përmbante diçka shumë domethënëse. Për herë të parë ndonjëherë, ajo përmendi Kinën, duke thënë se Pekini ishte një sfidë që “ne duhet të trajtojmë së bashku si aleancë”.

Kjo deklaratë, megjithëse është e çuditshme, do të alarmojë Pekinin dhe do të kënaqë Uashingtonin.

Çështja kryesore këtu, në këtë konflikt tregtar, është Huawei, firma kineze e telekomunikimeve, e cila po bën oferta për të ndërtuar rrjete 5G në të gjithë botën. SHBA-ja e ka renditur në listën e zezë Huawein, duke vendosur sanksione që e pengojnë firmën kineze të blejë pjesë edhe përbërës nga Amerika.

Kam dëgjuar që miratimi i teknologjisë Huawei është si “të ftosh qeverinë kineze në dhomën e gjumit”.

Për shumë muaj, kjo retorikë amerikane ka patur ndikime. Japonia, Australia dhe Zelanda e Re njoftuan synimin e tyre për të mos e pranuar Huawein. Por aleatët evropianë nuk e vepruan kështu. Siç tregon një artikull i fundit në Nikkei Asian Review: “Deri më tani, kompania ka nënshkruar 65 kontrata, me gati gjysmën që vijnë nga vendet evropiane.”

Por qëndrimet në Evropë tani po ndryshojnë. Trump pretendon se kishte siguruar marrëveshje me italianët për të penguar Huawein. Boris Johnson, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, tha se Britania nuk do ta lejonte Huawei në rrjetin e saj 5G.

Angela Merkel, kancelarja gjermane, e ka mbajtur derën hapur për Huawein. Por, megjithatë, qeveria ka filluar të ndryshojë qëndrim. Në një intervistë të fundit, Peter Altmaier, ministri i çështjeve ekonomike të Gjermanisë, foli për nevojën për të nxitur furnizuesit evropianë të 5G për të garuar me Huawei.

Një moment i rëndësishëm erdhi në fillim të këtij viti, kur Komisioni Evropian publikoi ​​një letër që e përshkruante Kinën si një “rival rival sistemik”.

Iniciativa e Pekinit e ashtuquajtur “17 + 1” kanë sjellë dyshime në Bruksel, ku shihet si një përpjekje kineze për ndikim dhe për të shkatërruar unitetin e BE.

Industria evropiane po bëhet gjithashtu më skeptike ndaj Kinës, duke i bërë jehonë shumë ankesave amerikane për aksesin e tregut dhe vjedhjen e pronës intelektuale.

Shpejtësia dhe avantazhet e kostos së Huawei 5G ka të ngjarë të nënkuptojnë se do të vazhdojë të gjejë shumë klientë të gatshëm jashtë perëndimit.

Vendimi i 5G ka të ngjarë të jetë i pari nga shumë zgjedhje të tilla për Evropën. Për sa kohë të jetë e mundur, vendet evropiane do të përpiqen t’i bëjnë të lumtur edhe Uashingtonin dhe Pekinin.

Por nëse aleatët kryesorë të Amerikës, si Britania dhe Gjermania, detyrohen të zgjedhin, atëherë vlerat, ekonomia, siguria dhe strategjia do të tregojnë drejtimin.

Ata do të duhet të zgjedhin SHBA-në, dhe jo Kinën.

Gideon Rechman, Financial Times