Në mesnatën e së premtes në Bruksel, Britania, pas 47 vitesh, largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Flamuri zhduket nga shtyllat e flamujve në Bruksel dhe të gjithë përfaqësuesit britanikë largohen nga mbledhjet, komitetet dhe institucionet e BE-së. Kjo do të ndodhë, por asgjë më tepër.
Të paktën për pjesën tjetër të vitit, të gjitha ligjet, rregullat dhe rregulloret, si dhe juridiksioni i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, do të vazhdojnë të zbatohen në Britani. Dhe vendi do të mbetet në bashkimin doganor dhe tregun e vetëm.
Kryeministri Boris Johnson ka caktuar një afat për veten e tij për të negociuar një marrëveshje të kënaqshme për atë që do të ndodhë kur Britania vërtet të largohet. Koha është jashtëzakonisht e shkurtër. Bisedimet ka të ngjarë të fillojnë në mars, dhe deri në fund të qershorit qeveria britanike duhet të vendosë nëse duhet të kërkojë një vit tjetër në BE ose jo.
Shumë pak besojnë se një marrëveshje e plotë mbi marrëdhëniet e ardhshme mund të negociohet në kohën e caktuar. Një marrëveshje e kufizuar e tregtisë së lirë për mallrat mund të jetë e mundur, por edhe kjo është e pasigurt.
Dëme do të ketë.
Ekonomistët po diskutojnë për shifrat, por analiza e publikuar nga vetë qeveria britanike vlerëson se me kalimin e kohës, ekonomia britanike për frymë do të jetë 5 përqind më e vogël sesa do të ishte.
Supzohet se e gjithë kjo do të kompensohet nga marrëveshje të reja përrallore që Britania do të jetë në gjendje të përfundojë në të gjithë botën.
BE ka afro 600 marrëveshje të llojeve të ndryshme për të gjitha çështjet në të gjithë botën, dhe këto papritmas nuk do të zbatohen më në Britani kur të ndodhë Brexiti i vërtetë.
Do të jetë një detyrë herkuliane për Britaninë të negociojë marrëveshje vetëm për t’i kthyer gjërat në pikën fillestare të Brexit.
Dhe tregtia është vetëm një pjesë e rrjetit të pamasë të marrëdhënieve dhe ndërvarësisë që kanë zhvilluar mbi gati gjysmë shekulli përpjekje të përbashkët në të gjitha ekonomitë dhe shoqëritë.
Përveç detyrës kritike të përpjekjes për të arritur një marrëveshje me BE-në, detyra më e rëndësishme e Britanisë do të jetë të sigurojë një marrëveshje në konferencën globale COP26 për ndryshimin e klimës në Glasgow, Skoci, në nëntor.
Brexit tani është fundi i fillimit. Fillimi zgjati ca kohë dhe doli të ishte shumë më i ndërlikuar sesa ishte parashikuar. Por tani procesi hyn në fillimin e fundit.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al