Tifozët e thërrasin “Raketa”. Kanë të drejtë, ai kur merr kur merr krahun bën çudira dhe shpesh golat e Kombëtares shqiptare kanë ardhur nga kroset e tij.
Mesfushori Odise Roshi është vlerësuar si lojtari më i votuar i Kombëtares shqiptare në eliminatoret e “Euro 2020”. Një çmim që e bën krenar futbollistin kuqezi.
Odise Roshi duket se ka gjetur formën e tij më të mirë këtë sezon me fanellën e Akmat Grozny në Rusi, duke qenë se tashmë fieraku është në kulmin e karrierës, e madje ka shënuar edhe 3 gola.
Në Rusi ende nuk ka rinisur kampionati dhe Roshi, së bashku me shokët e tij të skuadrës, po e zhvillojnë fazën përgatitore në Antalia të Turqisë aktualisht.
Futbollisti fierak nuk fsheh ofertat që ka pasur, apo dhe dëshirën që ai ka në aspektin personal, ku synimi është që të bëhet pjesë e një kampionati të njohur në Europë…
“Na duhen shumë pikë me thënë të drejtën se nuk jemi mirë në tabelë. Shpresoj të ngrihemi dhe t’i marrim avash-avash gjërat. Normale është një kënaqësi e madhe.
Sa i përket ofertave, La Liga është një nga kampionatet më të mëdha. Do ishte një kënaqësi që të shkoj aty, por për momentin jam tek ekipi im, jap maksimumin aty dhe kur gjërat të jenë, kur nuk janë zyrtare nuk mund të flas para kohe” – u shpreh Roshi.
Trajneri italian që drejton kuqezinjtë ka fituar zemrën e të gjithë futbollistëve në kombëtare dhe Roshi është njëri prej tyre, edhe pse nuk e aktivizon titullar.
“Reja është një trajner me shumë eksperiencë. Të gjithë kanë respekt për trajnerin, ka shumë pankina në Serie A. Ka treguar vlera edhe në ekipin kombëtar, ka formuar një ekip shumë të mirë. Ëndrra ime është që të luaj në Botëror me Shqipërinë” – përfundon Odise Roshi.