MENU
klinika

Zef Kolombi

Piktori i madh që përmblodhi gjithë ndjesitë në një tablo të vogël

04.01.2020 - 07:43

Piktura shqiptare njeh shumë njerëz të talentuar dhe kolosë, po njëri prej tyre është i denjë të quhet pasardhës i piktorëve më të mirë shqiptarë dhe ai është padyshim edhe Zef Kolombi. Me anë të pikturës ai shprehte shpirtin, që edhe pse kishte një mungësë të madhe siç ishte ajo e prindërve, ai diti ta kalojë dhe të bëhet një nga piktorët më të vlerësuar dhe të njohur në vendin tonë.

Shumë prej nesh ia njohin pikturat dhe harmoninë që ai ka në to, po shumë pak ia dinë historinë, ndaj edhe sot do të tregojmë më shumë për këtë legjendë të pikturës sonë.

Zef Kolombi lindi më 3 mars 1907 në Sarajevë i biri i Gjon Kolombit nga Shkodra dhe sllovenes Francisca Hajdovnik. I ati kishte shkuar qysh i ri në Sarajevë, ku kishte nën pronësi një hotel të vogël.

Lindi pas së motrës, Verës. Më 1910 i vdes i ati Gjoni prej gripit spanjoll dhe pas një viti iu vdes e ëma nga e njëjta ligështi. Për ta u kujdes nanababja dhe i ktheu në vendlindjen e të atit, në Shkodër.

Pas jo pak kohe i vdiq edhe e gjyshja dhe për fëmijët u kujdes kumbari i tyre, Sokrat Shkreli. Nuni i tyre, ashtu si miku i tij i ndjerë, kishte në pronësi një hotel në Shkodër ku si kuzhiniere punonte e shoqja austriake, Mici.

Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punojë lloj lloj punësh për të mbijetuar, dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës.

Nëpër këto institucione arti tërheq vëmendjen e rojeve dhe disa të rinjve të cilët e ndihmojnë për t’u regjistruar në një shkollë nate. Por, e largojnë nga Italia, dhe ai kthehet sërish në Sarajevë,ku punon si ndihmës këpucëtar.

Pas kësaj ai tri vjet punon pranë një dekoratori dhe gjatë kësaj kohe ai krijon veprat e para si dhe kopje të klasikëve. Në moshën 18 vjeç Zef Kolombi kthehet në Shkodër, dhe i kushtohet artit të pikturës ku punon edhe si nëpunës në hotel “Grand”.

Më 1929 Zef Kolombi niset sërish për Itali, ku fillon të studiojë në akademi. Me përfundimin e Akademisë së Arteve në Romë kthehet në Shqipëri dhe emërohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit, ku qëndroi 10 vjet. Në vitin 1936 martohet dhe nga ajo martesë lind edhe një djalë, Julianin.

Por martesa e parë nuk i shkoi mirë, ndaj edhe martohet për herë të dytë, nga ku pati edhe një djalë tjetër, Gjovalinin. Vazhdon të pikturojë dhe njëkohësisht kryente detyrën e mësuesit.

Zef Kolombi ka pikturuar me materiale të tilla si beze, kanavacë, karton e kompensatë, ndërsa më së shumti vepra e tij është në vaj. Ka përdorur më shumë ngjyrën e kuqe, kafe, të gjelbrën e të bardhën. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Në dy vitet e fundit të jetës sëmuret nga astma dhe tuberkulozi dhe vdes më 23 janar 1949.

Piktori i njohur Zef Kolombi (1907-1949) lindi në Sarajevë në një familje shkodrane. Jetim që në vegjëli, u rrit nga gjyshja në Shkodër dhe bëri çdo lloj pune në Jugosllavi e më pas Itali. Talentin e tij e pikasën disa bashkëatdhetarë që e ndihmuan të regjistrohej në Akademinë e Arteve të Bukura, Romë.

Pas e përfundoi më 1933, punoi mësues në Normalen e Elbasanit. Para L. Dytë veprat e tij pasqyrojnë motive karakteristike e peizazhe. Pas luftës fokusohet në portretet, tipat dhe botën e brendshme. Ka lënë rreth 30 tablo dhe shumë vizatime.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB