Presidenti Donald Trump iu drejtua kombit, disa orë pasi Irani hodhi disa raketa në bazat ajrore në Irak, ku qëndronin disa trupa amerikane. Iranianët thanë se sulmi ishte si përgjigje ndaj sulmit që vrau Qasem Soleimani, një nga udhëheqësit më të fuqishëm të Teheranit.
Presidenti kërcënoi Iranin me sanksione shtesë dhe tha se administrata e tij po shqyrton “opsionet” e saj.
Ai gjithashtu duket se i ofroi paqe iranianëve, duke sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Teheranin.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë paqe me të gjithë ata që e kërkojnë atë,” tha Trump.
Presidenti sinjalizoi se ishte i hapur për negociata me Iranin, një ofertë që ai e ka bërë edhe në raste të tjera, që kur u tërhoq nga marrëveshja shumëkombëshe bërthamore e Iranit në vitin 2018.
“Të gjithë duhet të punojmë së bashku për të bërë një marrëveshje me Iranin që e bën botën një vend më të sigurt dhe më të qetë”, tha Trump. “Ne gjithashtu duhet të bëjmë një marrëveshje që lejon Iranin të lulëzojë dhe të përfitojë nga potenciali i tij i jashtëzakonshëm i pashfrytëzuar.”
Presidenti iu drejtua drejtpërdrejt liderëve iranianë, duke këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që ata të kenë një “të ardhme të shkëlqyer”, prosperitet në vend dhe harmoni me kombet e botës.