Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ai do t’i kërkojë NATO-s të rritë përfshirjen e saj në Lindjen e Mesme, një kërkesë e papritur nga një president, i cili në të kaluarën ka vënë në dyshim rëndësinë e aleancës transatlantike dhe u nda me disa vende anëtare për qasjen e tij ndaj Iranit.
Trump nuk ka detajuar se çfarë përfshirje të mëtutjeshme ai dëshiron nga aleanca 29-anëtarëshe. Por muajin e kaluar ai u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të bëjnë më shumë lidhur me luftimin e mbetjeve të grupit të Shtetit Islamik.
“Sot, unë do të kërkoj nga NATO që të përfshihet shumë më shumë në procesin e Lindjes së Mesme,” tha Trump gjatë komenteve të tij të para publike për sulmet ushtarake të Iranit që kishin si objektiv trupat amerikane të vendosura në Irak.
Trump foli me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg me telefon të mërkurën për situatën.
“Ata ranë dakord se NATO mund të kontribuojë më shumë në stabilitetin rajonal dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar,” tha NATO në një deklaratë.
Administrata ka kundërshtuar shpesh disa anëtarë kryesorë të NATO-s, përfshirë Britaninë, Gjermaninë dhe Francën, lidhur me vendimin e Trump për vitin 2018 për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit që ishte ndërmjetësuar gjatë administratës së Obamës.
Marrëveshja kufizoi programin e pasurimit të uraniumit në Iran në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve. Trump dhe kritikët e tjerë menduan se marrëveshja i dha Teheranit shumë përfitime ekonomike pa bërë sa duhet për të parandaluar Iranin që përfundimisht të zhvillojë një armë bërthamore
Ndërkohë që tensionet midis SHBA dhe Iranit u përshkallëzuan ditët e fundit, NATO dhe disa kombe evropiane që janë pjesë e koalicionit për të mposhtur grupin e Shtetit Islamik ose janë duke marrë pjesë në trajnimin e ushtrisë dhe policisë së larguar nga Iraku, zhvendosën përkohësisht trupat jashtë vendit.
“Sfida me të cilën presidenti përballet në përfshirjen e aleatëve të NATO-s është se pa mbrojtjen e forcave amerikane, aleatët tanë nuk mund të qëndrojnë në Irak,” tha Heather Conley, drejtor i programit të Evropës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Në të kaluarën, Trump e ka kritikuar shpesh NATO-n, dhe ka inkurajuar pjesëmarrësit të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake.
Përkthyer dhe përshtatur nga Associated Press/ konica.al