MENU
klinika

Vizita e ekspertëve ndërkombëtarë

Hapa konkretë për standart të lartë sigurise në aeroport

11.02.2020 - 13:04

Ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) po vizitojnë këtë javë Tiranën, ku pritet të hartojnë një raport lidhur me standartin e sigurisë që zbatohet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vendin tonë, ”Nënë Tereza”.

Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Krislen Keri bën të ditur se ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë në operim të pistave të aeroporteve do të diskutojnë mbi masat efektive të nevojshme për të parandaluar dhe/ose reduktuar aksidentet apo incidentet e lidhura me pistat e avionëve.

“Bashkë me kolegë nga aeroporti, Albcontrol, forcat ajrore, Air Albania dhe Albawings pritëm sot 6 ekspertë të ICAO, Eurocontrol dhe ACI, ekspertë nga aeroporti i Brukselit dhe i Shën Peterburgut, të cilët përgjatë 4 ditëve në Tiranë do të zbërthejnë të gjithë zinxhirin përbërës të dokumentacionit, programeve, planeve, zbatimin e rregullave, analizimin e rreziqeve, por edhe zgjidhjen e tyre, në lidhje me sigurinë në operim të pistës (Runway Safety)”, tha Keri.

Në fund të kësaj vizite, shtoi ai, do kemi një raport të detajuar me hapa konkret për të garantuar që standardi më i lartë ndërkombëtar është duke u zbatuar edhe në Rinas.

Në Rinas tashmë është duke u zbatuar një projekt që lidhet me pistën dhe rrugët lidhëse të saj, i quajtur “Airfield 2020”.

Ky projekt ka filluar para një viti dhe konsiston në ribërjen e rrugëve lidhëse të pistës dhe do të përfundojë këtë vit me ri veshjen totale të pistës me asfalt.

“Duke qenë se kemi vetëm një aeroport ndërkombëtar, me vetëm një pistë, procesi i ribërjes së pistës është një ngjarje jo e zakonshme, që përsëritet një herë në 20 vjet në vendin tonë (hera e fundit ka qenë viti 1998), dhe e cila kërkon një nivel ekspertize të lartë nga të gjithë palët e përfshira. Veçanërisht në 2020, ku kemi 300% e më shumë pasagjer sesa 20 vite më parë, është e rëndësishme që çdo gjë të shkojë sipas planeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Prandaj dhe vizita e ekspertëve të huaj të ICAO, Eurocontrol dhe ACI është kaq e rëndësishme për ne në këtë moment”, bëri të ditur Keri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fluturimi 1929: Gjirokastër-Tiranë

A do rijetëzohet aeroporti i parë shqiptar?