MENU
klinika

Ndërtimi

Investimet e huaja direkte mbështetën ecurinë pozitive

18.02.2020 - 11:46

Rritja e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, në ndërtim, mbështetën ecurinë pozitive të këtij sektori gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kategoria e punimeve inxhinierike shënoi rritje, duke e ndikuar ecurinë e sektorit pozitivisht, në linjë me kontributin e vlerësuar të komponentit publik.

Sipas BSH-së, edhe rritja e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, megjithëse me ritme më të zbutura se në tremujorin e dytë, vlerësohet të ketë mbështetur ecurinë e sektorit në kahun rritës. Ecuria e sektorit të ndërtimit pritet të përmirësohet lehtësisht në tremujorin e katërt të vitit 2019.

Rritja e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve dhe numri më i lartë i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019, sugjerojnë për një ecuri relativisht më të mirë të sektorit të ndërtimit në tremujorin e katërt.

Numri i lejeve të ndërtimit të akorduara për ndërtesa të reja rezultoi 293 në tremujorin e tretë, nga 310 në tremujorin e dytë. Në total, numri i akorduar i lejeve të ndërtimit në tre tremujorët e parë të vitit 2019 mbetet më i lartë se një vit më parë, dhe kryesisht për ndërtesa për qëllime banimi.