MENU
klinika

Gati nisja e punimeve

Sheshi “Shqiponja” / Prezantohet plani si do të menaxhohet trafiku

28.02.2020 - 15:54

Trafiku i automjeteve që hyjnë në kryeqytet përmes nyjes së sheshit Shqiponja do të devijohet, duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, për shkak të fillimit të punimeve për ndërtimin e mbikalimit në këtë shesh, pjesë e projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor Pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”. Përballimi i fluksit të trafikut në këtë nyje, si dhe krijimi i hapësirës së nevojshme për kompaninë ndërtuese që të vijojë me ritmet e duhura punën për ndërtimin e kësaj vepre, janë dy nga arsyet kryesore të këtij devijimi.

Plani i menaxhimit të trafikut, i cili parashikon masat për të siguruar një lëvizshmëri sa më të mirë të të automjeteve gjatë periudhës së punimeve, i hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit është prezantuar sot nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho si dhe shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Erion Ahmeti.

“Është shumë e rëndësishme kjo dakortësi, e cila merret sot midis disa institucioneve të cilat janë përgjegjëse për çështjen e transportit, sigurisë rrugore sidomos, pasi bëhet fjalë për ndërhyrjet në një nga akset më të rëndësishme të transportit nga njëra anë, por dhe të infrastrukturës rrugore nga ana tjetër, të qytetit të Tiranës. Do të ketë një siguri maksimale gjatë kohës që realizohen këto punime, jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës kur ky shesh do të jetë i ndriçuar. Skaleta të cilën specialistët kanë përgatitur do të bëjë të mundur që këto punime të realizohen në një kohë sa më të shpejtë dhe nga ana tjetër, radhët apo pritjet të jenë sa më të vogla mundësisht”, u shpreh zëvendësministri Shkreli.

Drejtori i ARRSH sqaroi se janë marrë të gjitha masat për pajisjen me sinjalistikën e nevojshme, që do të orientojë lëvizjen e drejtuesve të automjeteve në bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore. Verdho bëri të ditur gjithashtu se do të punohet 24 orë në ditë në mënyrë që kjo vepër të përfundojë sa më shpejt.

“Sot pritet të miratohet Leja e ndërtimit dhe menjëherë fillojnë punimet. Për të dakortësuar menaxhimin jemi mbledhur me aktorët kryesorë të veprimeve. Kemi menduar një skemë trafiku ku do pajiset me sinjalistikën e nevojshme të kantierit, me vijëzime ngjyrë të verdhë, sinjalistikë horizontale dhe vertikale për të qenë e sigurt dhe gjatë ditës dhe gjatë natës. Policia do na mbështesë dhe ne do jemi në bashkëpunim me të dhe me bashkinë në çdo hap të projektit. Do të punohet 24 orë në 24 derisa vepra të mbarojë”, theksoi Verdho.

Nga ana e tij, Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Erion Ahmeti, njoftoi masat që ka marrë policia lidhur me menaxhimin e trafikut sa i takon punimeve që janë parashikuar të nisin. “Policia Rrugore e Tiranës i ka marrë detyrimet në bazë të këtij plani të menaxhimit të trafikut lidhur me punimet që do të kryhen. Kemi qenë pjesë e grupit të punës me ARRSH-në dhe me bashkinë në hartimin e këtij plani. Me shërbimet e përditshme, por dhe me ato shtesë, sidomos ato të emergjencës, kemi marrë masat dhe detyrimet për një rrjedhshmëri normale të trafikut në të gjitha segmentet hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës. Në vijimësi për gjithë problematikën jemi në komunikim të herë pas hershëm me ARRSH dhe Bashkinë”, bëri të ditur Ahmeti.

Duke nisur që nga dita e hënë, ndërhyrjet për lehtësimin e trafikut do të fillojnë me lejimin e aksesit drejt rrugës dytësore në anën e majtë të superstradës Tiranë – Durrës (drejtimin Durrës – Tiranë) përkatësisht në dy pjesë, pranë Kryqëzimit të rrugës “Dardania” dhe rrugës “Nozllaku” do të lejohet kalimi djathtas drejt rrugës dytësore të superstradës për akses në zonën e Yrshekut, Kasharit, Yzberisht etj. Pranë fillimit të mbikalimit të Kamzës, do të lejohet akesi kthim djathtas nga superstrada drejt rrugës dytësore si dhe drejt rrugës “Kasem Shima” e cila do të dedikohet me një sens kalimi në mënyrë që mos kemi trafik të mjeteve.

Mbikalimi i Kamzës në krahun e majtë (drejtimi Durrës – Tiranë) do përdoret vetëm me dy korsi në mënyrë që të disiplinohet trafiku drejt sheshit Shqiponja. Mjetet që vijnë nga nënkalimi i Kamzës dhe drejtohen drejt Tiranës do ngushtohet në një korsi sapo kalon rrugën “7 Marsi”. Ndërkohë Rruga “7 Marsi” mund të përdoret si rrugë alternative për të mbërritur pranë urës se lumit Lana në rrugën “Teodor Keko”.

Në bashkimin e linjave të trafikut drejt rrugës “29 Nëntori” në krahun e majtë (në zbritje të mbikalimit) në përfundim do kemi tre korsi, dy që vijnë nga drejtimi Durrës – Tiranë dhe një korsi nga nënkalimi i Kamzës. Gjithashtu me 3 korsi do përdoret edhe drejtimi tjetër i lëvizjes (drejtimi Tiranë – Durrës) që nga rrethrrotullimi Shqiponja dhe deri përpara mbikalimit të Kamzës. Për të vijuar në sheshin Shqiponja ku lëvizja do vazhdojë të kryhet me rrethrrotullim, me të vetmin ndryshim që rrethrrotullimi do të zhvendoset drejt jugut rreth 25-30 m dhe do të zgjerohet në rreze për të akomoduar numër më të madh mjetesh në rreth.

Rruga “Teodor Keko” (Unaza e Re drejt Pallatit me Shigjeta dhe anasjelltas) do të përdoret me 3 korsi në të dy senset e lëvizjes. Rruga “Dritan Hoxha” në drejtimin Tiranë – Durrës do të ngushtohet nga 4 korsi në 3 korsi dhe ngushtimi i korsisë do të kryhet rreth 100 nga rrethi.Rruga “Vangjel Noti” do vazhdojë të përdoret siç përdoret aktualisht me dy korsi (me nga një korsi për çdo sens lëvizje).Këmbësoret do të mund të kalojnë në vendkalimet e dedikuara me vijëzim e sinjalistikë.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!