MENU
klinika

UNDP kërkon mbështetje për vendet në nevojë

Kriza kërcënon të shkatërrojë ekonomitë dhe të rrisë pabarazinë

31.03.2020 - 10:22

Kriza në rritje e shkaktuar nga COVID-19 kërcënon të godasë në mënyrë disproporcionale vendet në zhvillim, jo vetëm si një krizë shëndetësore afatshkurtër, por dhe si një krizë rrënuese sociale dhe ekonomike gjatë muajve dhe viteve në vijim.

Humbjet në të ardhura pritet të kalojnë 220 miliardë dollarë në vendet në zhvillim, dhe gati gjysma e të gjithë vendeve të punës në Afrikë mund të mbyllen. Me rreth 55 përqind të popullsisë globale pa të drejtën e mbrojtjes sociale, këto humbje do të jehojnë nëpër shoqëri, duke ndikuar në arsim, në të drejtat e njeriut dhe, në rastet më serioze, në sigurinë themelore të ushqimit.

Spitalet me burime jo të mjaftueshme dhe sistemet e dobëta shëndetësore me shumë mundësi do të mbingarkohen. Kjo mund të përkeqësohet më tej nga një rritje e numrit të rasteve, pasi deri në 75 përqind të njerëzve në vendet më në nevojë u mungon sapuni dhe ujë.

Kushtet e tjera sociale, si planifikimi i dobët urban dhe mbipopullimi në disa qytete, shërbimet e dobëta të depozitimit të mbeturinave, madje edhe bllokimet e trafikut që mund të pengojnë aksesin te ndërtesat e kujdesit shëndetësor, gjithashtu mund të shtojnë numrin e rasteve të prekura.

“Kjo pandemi është një krizë shëndetësore. Por jo vetëm një krizë shëndetësore. Pandemia do të lërë plagë vërtetë të thella në shumë vende anëmbanë botës,” vuri në dukje Achim Steiner, Administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). “Pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, rrezikojmë një përmbysje masive të gjithë arritjeve të dy dekadave të fundit, një gjeneratë të tërë të humbur, nëse jo në jetë, në të drejta, mundësi dhe dinjitet.”

Duke punuar në koordinim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH), UNDP po ndihmon vendet të luftojnë COVID-19, duke u përqëndruar veçanërisht tek më të cënuarit.

Një Strukturë për Reagim të Shpejtë (Rapid Response Facility) që drejtohet nga UNDP, ka nisur tashmë punën e financuar nga burimet ekzistuese.
Thirrje për veprim

UNDP i ka bërë një thirrje për veprim komunitetit ndërkombëtar që të mendojë përtej ndikimit të menjëhershëm të COVID-19. Organizata ka theksuar nevojën për tri veprime prioritare: burime për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së virusit, mbështetje gjatë periudhës së shpërthimit dhe burime për të parandaluar kolapsin ekonomik të vendeve në zhvillim.

Në planin afatgjatë, UNDP do të punojë me shtetet për të vlerësuar pasojat sociale dhe ekonomike të COVID-19 dhe të marrë masa urgjente rimëkëmbëse për të minimizuar ndikimin afatgjatë, veçanërisht për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, dhe për të ndihmuar shoqëritë të përballen më mirë.

Beteja kundër pandemisë COVID-19 dhe pasojave të saj do të kërkojnë partnerë që mund të punojnë në sisteme dhe sektorë të ndryshëm dhe në kontekste që janë dhe kompleks edhe të pasigurt. UNDP ka vite e vite përvojë në vijën e pare të betejës – për këtë është krijuar.

Prezent në 170 vende dhe territore, UNDP është përqëndruar në reagimin ndaj COVID-19, duke mobilizuar të gjitha burimet në dispozicion për t’iu përgjigjur kësaj sfide të pamenduar më parë.