Retorika e ashpër e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan kundër kundërshtarëve të tij është e njohur, brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, një incident dramatik në parlamentin turk javën e kaluar tregoi se ç’ndodh me fatet e atyre që guxojnë të përdorin të njëjtën retorikë kundër tij.
Më 4 mars, një ligjvënës nga Partia kryesore e opozitës Republikane e Popullit (CHP) kritikoi Erdoganin duke përdorur të njëjtat fjalë që presidenti përdori për fyerjen e kreut të CHP, duke shkaktuar një zënkë në parlamentin turk. Një ligjvënës nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, partia në pushtet (AKP), goditi me grusht ligjvënësin e CHP, Engin Ozkoc, shumë herë. Pastaj një prokuror nisi një hetim kundër Ozkoc me akuzën e “fyerjes së presidentit”.
Gjithçka nisi kur Erdogan akuzoi kreun e CHP Kemal Kilicdaroglu për mbështetjen e regjimit sirian, duke thënë se “kushdo që hedh baltë mbi luftën dinjitoze të Turqisë në Siri është i pandershëm, i pakuptueshëm, i ulët dhe i pabesë”.
Po atë ditë, Ozkoc e kritikoi Erdoganin duke iu referuar ushtarëve turq të vrarë në Libi muajin e kaluar si “disa dëshmorë”, duke e quajtur Erdoganin të pandershëm, të pakuptueshëm, të ulët dhe të pabesë.
Disa orë më vonë, Ozkoc shkoi në parlament për të kritikuar politikën e qeverisë turke në Siri. Të zemëruar ndaj tij për vërejtjet e tij të mëparshme, ligjvënësit e AKP ndërhynë gjatë fjalimit të Ozkoc, duke shkaktuar një zënkë midis ligjvënësve të AKP dhe CHP. Sikur sulmi të mos mjaftonte, avokatët e Erdogan paditën Ozkoc rreth 1 milion lira (rreth 162,000 dollarë) për shpifje, dhe një prokuror publik nisi hetimin për këtë incident.
Rasti i Ozkoc tregon një prirje të re në Turqi: Gjyqësori i Turqisë i konsideron kritikat për Erdoganin një krim të rëndë.
Shifrat flasin. Nga 2014-2018, rreth 17.500 njerëz u paditën për fyerje ndaj presidentit, sipas Ministrisë Turke të Drejtësisë. Kjo dënohet me një deri në katër vjet burg. Në 2018, u nisën rreth 26,000 hetime të reja, me qindra të mitur midis “të dyshuarve” të ndjekur penalisht.
Të ashtuquajturat fyerje ndaj Erdoganit mund të kenë implikime serioze financiare. Kilicdaroglu pagoi rreth 147,000 lira (40,000 dollarë) si rezultat i padive për shpifje midis 2009-2018, sipas Agjencisë Anadolu në pronësi të shtetit në Turqi.
Shumë nga ato padi janë ngritur nga avokatët e Erdoganit. Askush nuk e di se sa avokatë po punojnë në të gjithë vendin për të paditur ata që kritikojnë Erdoganin.
Prokurorët kërkojnë jo vetëm të ndëshkojnë ata që dyshohen se fyejnë Erdoganin, por ata gjithashtu e trajtojnë çdo postim në mediat sociale si një krim më vete. Në disa raste, efektet mund të jenë shumë të rënda. Një qytetar u dënua me 12 vjet e tre muaj burg në shtator 2017 për shtatë pastime në media sociale, sepse secila prej tyre konsiderohej fyerje ndaj Erdoganit.
Deri më tani, 60 anëtarë të asamblesë së partisë CHP janë hetuar për fyerje ndaj Erdoganit në vitin 2019. Paditë gjyqësore kundër 30 prej atyre personave vazhdojnë.
Kur bëhet fjalë për fyerjen e presidentit, edhe avokatët e të pandehurve nuk janë imunë nga ndjekja penale.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR), ka një qasje të qartë ndaj fyerjeve për liderët. Politikanët duhet të tolerojnë kritikën, dhe përgjegjësia penale pranohet vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Nuk do të ishte ekzagjerim të themi që Turqia mund të jetë një kampion botëror për ndëshkimin e atyre që fyejnë presidentin, për aq kohë sa i mungon një gjyqësor i pavarur dhe liria.
Orhan Kemal Cengiz është një avokat i të drejtave të njeriut, kolumnist dhe ish-president i Shoqatës së Agjendave të të Drejtave të Njeriut, një OJQ turke.
Përkthyer dhe përshtatur nga Al-Monitor/ konica.al