Italia është vendi më i prekur në Europë sa i përket përhapjes së Coronavirusit, ku qytetarët vazhdojnë të mbeten të vetëizoluar si mënyra e vetme për të luftuar me pandeminë Covid-19. Futbolli Italian është ndalur deri më 3 prill edhe pse data e rikthimit në fushë mund të jetë më e largët duke parë gjendjen aktuale.
Por klubet dhe Federata janë duke menduar edhe për anën financiare dhe shqyrtojnë mundësitë për vijimin e kampionatit. Shumë futbollistë të Serie A kanë rezultuar pozitiv në analizat e kryera e kjo tregon se as lojtarët e sportit më të ndjekur në botë nuk janë imun.
Këtë e pohon edhe mesfushori i Milanit, Lucas Biglia, i cili ka folur për situatën alarmante në Itali. Në një prononcim për “CNN Radio”, Biglia tregon se të gjithë futbollistët duhet të ngrenë zërin e të mos luajnë deri në përmirësimin e plotë të kësaj situate, pasi në këto momente ka prioritete më të mëdha se interesat ekonomikë e sportivë.
“Futbolli është një sport botëror i mbushur me interesa ekonomike, por ka prioritete të tjera tani. Për shembull, shëndeti i lojtarëve. Askush nuk është imun, përfshirë edhe ne. Duhet të ruhemi në maksimum. Futbollistët duhet të marrin guximin për të ngritur zërin dhe të thonë se futbolli duhet të ndalohet.
Më mirë të humbas pikë se sa jetën time. Në Itali jo vetëm që e kanë nënvlerësuar situatën, por nuk kanë ndjekur as rregullat që u janë kërkuar. Duhej të ndodhte kolapsi dhe sot doktorët punojnë pa pushim. Për shkak të koronavirusit njerëzit e tjerë po lihen mënjanë”, – është shprehur Lucas Biglia.