Intervistë e marrë me shkurtime me Dusan Reljic (Shefi i zyrës së Brukselit në SWP Berlin (Instituti gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe sigurie / Stiftung Wissenschaft und Politik (SWP), Bruksel / Berlin ).
***
Si është situata në Ballkanin Perëndimor?
Kjo krahinë, megjithë ose edhe për arsye të lidhjes së fortë me Gjermaninë, Italinë dhe vende të tjera të KE-së nuk mund që të prodhojë mjaftueshëm për tu zhvilluar më shpejt dhe për të krijuar në këtë mënyrë kushte të mira jetese për njerëzit. Kjo sjell pasoja në politikën e këtyre vendeve: Me të ardhura 400 euro në muaj nuk mund të zhvillohet normalisht shteti i së drejtës dhe demokracia liberale. Varfëria dhe mungesa e shpresës janë një ushqim i mirë për populistët dhe drejtuesit autoritarë që tani janë thuajse kudo aktorët kryesorë në vendet e Ballkanit.
Cilat janë arsyet e zhvillimit të dobët ekonomik të kësaj krahine?
Nga njëra anë, kjo krahinë e pati më të vështirë që të lidhej me proceset e bashkimit me BE-në, për shkak të pasojave të luftës dhe trashëgimisë së ish–Jugosllavisë. Nga ana tjetër, “Modeli i tranzicionit” i propaganduar nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, nuk solli barazimin me Europën Perëndimore, përveçse në pak raste të vendeve të Europës Qendrore Lindore dhe Juglindore. Përkundrazi: Ballkani Perëndimor duhet të luftojë kundër defiçiteve tregtare dhe të bilanceve të pagesave.
Ҫfarë do të thotë kjo e shprehur në shifra?
Midis 2008 dhe 2018 ekonomitë e gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor, që nuk janë akoma anëtare të BE-së, kanë regjistruar një minus prej 100 miliardë euro në tregtinë me BE-në, sidomos me Gjermaninë dhe Italinë. Duke pasur parasysh strukturën ekzistuese të marrëdhënive ekonomike me BE-në, kjo krahinë nuk do të mund të arrijë një rritje vjetore prej gjashtë deri në tetë përqind. Por, pikërisht këtë rritje në përqindje duhet të arrijnë vendet e kësaj krahine mesatarisht, në mënyrë që të mund të barazohen pas 30 vitesh me BE-në.
Ҫfarë duhet të bëjë sipas mendimit tuaj sot BE-ja për të përmirësuar këtë gjendje?
Ballkani Perëndimor zhvillon thuajse 75% të tregtisë së tij të jashtme me BE-në. Pra më shumë se vende anëtare të BE-së. Investime të huaja, kapital bankar, remitanca nga emigrantët, gjithçka vjen nga BE-ja. Por asnjë ndihmë financiare falas për t’i lehtësuar këto vende ekonomikisht dhe për të eleminuar defiçitet me BE-në. Për vendet “e reja” anëtare të BE-së si Polonia dhe Ҫekia lekët nga fondet e strukturës dhe kohezionit të BE-së janë vendimtare të paktën pjesërisht për të rregulluar pozicionin e tyre të dobët në këmbimet ekonomike me Europën Perëndimore dhe Veriore. Ky solidaritet duhet të jetë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mes vendeve të BE-së është akoma e diskutueshme nëse Unioni duhet të pranojë apo jo shtete të tjera si anëtare. Ҫfarë u thoni ju skeptikëve: Ҫfarë përfitimesh do të kishte BE-ja nga një integrim i mëtejshëm i shteteve të Ballkanit Perëndimor?
Meqenëse mirëqenia nuk shkon tek ata, atëherë njerëzit shkojnë atje ku është mirëqenia. Në vitin 2018, 230.000 qytetarë të Ballkanit Perëndimor morën për herë të parë një leje qendrimi në një shtet të BE-së. Në çdo dy minuta largohet një qytetar. Nga kjo situatë përfiton BE-ja; por Europa Juglindore nga ana tjetër zbrazet. Popullsia atje sa vjen e plaket më shumë dhe njerzit atje preken akoma më shumë nga pasojat e ndryshimit të klimës duke krahasuar me Europën Veriore. Ata bien gjithnjë e më shumë në humnerën e rezikshme të krijuar.
Ҫfarë rrugëzgjidhje mendon popullsia e Ballkanit Perëndimor?
Është gjë e njohur që i mbyturi kapet pas çdo dore që i ofrohet për ndihmë: shumë njerëz e shikojnë iniciativën kineze ’17+1′ pjesë e rrugës së mëndafshit që përqendrohet në Europën Qendrore dhe Juglindore për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Europën Qendrore dhe Juglindore si një shans për të dalë nga kjo situatë. Ata shpresojnë për punë të paguar ndershmërisht, për rrugë më të mira, hekurudha më të shpejta, prodhues efiçentë energjie e akoma më shumë. Ky duhet të shërbejë si sinjal për BE-në, që me instrumentet e saj të deritanishme për ndërtimin gjithëpërfshirës në kontinentin europian të marrëdhënive dhe të së ardhmes, nuk i përgjigjet si duhet këtij pretendimi të saj. Këtë trend ajo duhet ta ndryshojë me një orientim të ri të përzemërt në politikën e saj të zgjerimit.
/ Intervista e realizuar nga Candida Splett e Online-Redaktion e SWP//Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al