MENU
klinika

Mungesa e Xhafaj? Nuk e kam vënë re...

Paketa anti-KÇK/ Lleshaj: Varianti final ka ndryshuar

05.03.2020 - 21:41

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj konfirmoi në News24 se paketa e njohur si anti-KÇK ka ndryshuar nga varianti fillestar. Lleshaj tha se ekspertë të shumtë kanë punuar për ta sjellë ligjin në parametra të tillë që të kalojë në Kuvend.

Sa i përket mungesës së ish-ministrit Fatmir Xhafaj në votim, ai tha se nuk e ka vënë re pasi ka qenë i ngarkuar.

“Varianti final nga ai fillestar ka ndryshuar. Ka qenë proces diskutimi, janë marrë shumë ekspertë, të cilët kanë punuar fortë për ta sjellë ligjin në ato parametra që të jetë i pjekur për të kaluar në Kuvend. Ka pasur shumë ndryshime.
Sot nuk e kam vënë re mungesën e z. Xhafaj për të qenë fare i sinqertë. Ka qenë një ditë e ngarkuar, gjithë ditën në Kuvend por nuk do ta komentoja. Nuk komentoj paraardhësit, e kam si princip”, deklaroi Lleshaj.

Sa i përket ndryshimeve të tjera jashtë për çështjen e përgjimeve që i jep më shumë autoritet policisë, Lleshaj tha se nuk ka mbivendosje me prokurorinë dhe se kjo i jep mundësinë policisë të veprojë pa qenë e varur nga operatorët telefonikë.

Ligji që kemi miratuar sot nuk ka lidhje me këtë. Këto janë në proces, akoma të pakaluara në Kuvend. Sot kemi kaluar vetëm aktin normativ special që merret me pasurinë. Është një akt me natyrë të pastër administrive.
Nuk ka mbivendosje. Ne flasim për dy koncepte, përgjim dhe interceptim. Policisë i ka munguar një atribut për të përgjuar, lokalizuar. Policia nuk e ka pasur dhe nuk e ka ende sot dhe është e varur nga operatorët telefonikë.
Ka pasur raste por ka qenë në vullnetin e kompanive. Ligji nuk i jepte kompetencën për të vepruar në çast”, tha Lleshaj.

Ministri mohoi se do të jetë në krye të Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.
Nuk do të jem në krye të komiteti. Aty nuk flitet për drejtim. Por për kryesim të një tryeze. Mund të ishte fare mirë dhe prokurori i përgjithshëm. Pse jo politike? Kur flasim për politikë, flasim për përfaqësues që shikojnë vullnetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk kanë nga shkojnë pa pasur besim. Shqiptarët zgjedhin politikën, dhe asaj i kërkojnë dhe plotësimin e detyrave dhe objektivave. Nuk shoh asnjë handikap që mos të jetë ministri. Dhe vende të tjera më të zhvilluara kështu e kanë. Në pikëpamje doktrinarë nuk është gabim që prokuroria të bashkëpunojnë me policinë. Komiteti do të ketë funksion koordinues për të përmirësuar parametrat e rendit dhe të sigurisë. Duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Pavarësia e nënkupton koordinimin, pasi përgjegjësia është e përbashkët”, sqaroi ministri Lleshaj.