MENU
klinika

Nga Eu Observer

Si Kina po shfrytëzon “dobësitë” e BE-së…

24.03.2020 - 15:11

Komisioneri i BE-së Thierry Breton po e quan Covid-19 një “krizë që nuk njeh kufij”, por kur evropianët shikojnë nga dritarja, kufijtë janë gjithçka që shohin.

Kufizimet e reja po ndajnë qytetarët nga njëri-tjetri dhe kufijtë e vërtetë, po shfaqen midis shteteve evropiane dhe midis partnerëve transatlantikë. Këto pengesa po shkatërrojnë lirinë e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat.

I vetmi vend që po përfiton nga këto pengesa të reja është Republika Popullore e Kinës.

Dëshira për tu shfaqur si udhëheqëse në një krizë, Kina ka ndërmarrë disa nisma që synojnë Evropën.

Avionët e mbushur me pajisje mjekësore, teste dhe maska ​​ po vijnë nga Kina. Disa nga këto janë dhurata nga qeveria ose nga subjekte private si Alibaba, ndërsa dërgesat e tjera janë furnizime të blera nga evropianët.

Bashkëpunimi global në luftimin e virusit janë të nevojshme, por Evropa duhet të jetë e vetëdijshme që Kina po përfiton nga mungesa e solidaritetit midis shteteve anëtare evropiane për të arritur qëllimet e veta.

Në pranimin e ndihmës së Kinës, Evropa duhet të ketë kujdes nga propaganda e një shteti autoritar.

Italia, shteti anëtar i BE-së që deri më tani është prekur më shumë nga pandemia, ka qenë një objektiv veçanërisht i spikatur.

Ambasadori italian në BE shprehu keqardhje se “vetëm Kina iu përgjigj” lutjeve të vendit të tij për ndihmë.

Kjo i lejoi ministrit të jashtëm të Romës Luigi Di Maio të lavdëronte publikisht Kinën.

Thuhet se Di Maio mund të jetë duke përdorur krizën për axhendën e tij të gjatë për të afruar Italinë më afër Kinës.

Dhe autoritetet kineze po sigurohen që çdo ndihmë që ata ofrojnë të publikohet kudo.  Por Italia nuk është i vetmi vend evropian që mbështetet tek Kina për ndihmë në luftimin e krizës.

Kur kryeministri spanjoll kontaktoi Kryetarin Xi për ndihmë në marrjen e furnizimeve mjekësore, mediat shtetërore kineze shpejt e publikuan thirrjen për të promovuar reagimin e lidershipit të tyre.

Në mënyrë të ngjashme, ka ndodhur dhe me shtete të tjera si Republika Çeke apo Franca.

Nëse ky operacion i gjerë kinez do të ketë sukses, mbetet për tu parë.

Evropa nuk duhet të qëndrojë pasive përballë taktikave përçarëse të Kinës. BE-ja duhet të tregojë rëndësinë e saj për qytetarët dhe ndihmën e saj për të gjitha vendet anëtare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vendet anëtare të Evropës Jugore dhe Qendrore tashmë të irrituar me BE-në për politikat ekonomike, lidhur me migracionin, ose drejtësine.

BE ndoshta po përgatitet.

Ursula von der Leyen njoftoi masa të reja (dhe ka paguar 90 përqind të rezervave strategjike të pajisjeve mjekësore, përfshirë ventilatorë dhe maska, duke thënë qartë se nisma e re po vë “solidaritetin e BE-së në veprim”).

Në të njëjtën mënyrë, Banka Qendrore Evropiane ka miratuar një paketë prej 750 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet e Evropës Jugore, në veçanti, që po luftonin ekonomikisht edhe para krizës së koronavirusit.

Masat e tilla të ndihmës konkrete janë shumë të nevojshme.

BE-ja duhet të vazhdojë të veprojë për të kapërcyer pengesat e reja që po krijohen. Jo vetëm shëndeti, por besimi në sistemin demokratik dhe projektin evropian po  vihen në dyshim.

Përkthyer dhe përshtatur nga EuObserver/ konica.al