Zyrtarët e Turqisë dhe Rusisë ranë dakord mbi detajet e armëpushimit të ri në provincën veri-perëndimore të Sirisë, tha ministri i mbrojtjes i Turqisë të premten.
Bisedimet katër-ditore midis delegacioneve ushtarake turke dhe ruse përfunduan në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë në kryeqytetin Ankara.
Në takim u nënshkrua dokumenti i përpiluar në bazë të armëpushimit në Idlib nga zyrtarët turq dhe rus dhe ai hyri në fuqi, tha para gazetarëve ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar. Ai tha se patrulla e parë e përbashkët e Turqisë dhe Rusisë në autostradën M4 në Idlib do të zhvillohet në 15 mars. Akar gjithashtu tha se Turqia dhe Rusia do të krijojnë qendra të përbashkëta koordinimi në rajon.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin javën e kaluar ranë dakord për një armëpushim të ri në Idlib duke filluar që nga ora 00:01 të 6 marsit. Sipas marrëveshjes, të gjitha aktivitetet ushtarake do të përfundojnë në Idlib me krijimin e një korridori të sigurisë 6 kilometra në veri dhe në jug të autostradës kryesore M4.
Duke theksuar rëndësinë e armëpushimit, Akar tha se ka indikacione shumë të mira që emigrimi nga Idlib do të ndalohet dhe se madje ka filluar kthimi i popullatës.