MENU
klinika

Si mund të përfitojnë bizneset dhe individët?

Vendimi zyrtar për “Pagat e Luftës”/ Detajet

28.03.2020 - 12:20

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, qeveria ka konkretizuar në një vendim të posaccëm mënyrën se si do të ndahet fondi 5 miliardë e 850 milionë lekë si pagë apo ndihmë ekonomike në kuadër të pandemisë.

Me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtim, Këshilli i Ministrave vendosi dhënie ndihme financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik/ marrëdhënieve të punës për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Dhënien e një pagese shtesë për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike.
Dhënien e një pagese shtesë për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

Ndihma financiare për të vetëpunësuarit/të punësuarit llogaritet dhe jepet sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpaguese.

“Për ato subjekte, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo tremujor, merret në konsideratë listëpagesa e tremujorit të fundit të vitit 2019, ndërsa për subjektet, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo muaj, merret në konsideratë listëpagesa e muajit janar 2020. Listëpagesat përditësohen me ndryshimet e deklaruara sipas formularit ESig-27, deri në datën e mbylljes së veprimtarisë”përcaktohet në vendim.

Si bëhet aplikimi?
Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/të punësuarit. Individët, që janë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm:

a) Personat fizikë të vetëpunësuar;
b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
ç) Të punësuarit në personat juridikë.

Për të përfituar ndihma financiare, duhet që subjekti tatimpagues:

a) të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim;
b) të ketë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin;
c) të ardhurat e deklaruara të të cilit, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin/tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin 2019, të jenë deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë.
Subjektet, që plotësojnë kushtet duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit efiling, kërkesën me të dhënat e përfituesve ku përfshihen:

a) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
b) Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit, përfshirë:
-emrin, atësinë, mbiemrin;
-numrin personal të identifikimit të përfituesit;
iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
numrin e llogarisë bankare.

PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
Strukturat e drejtorive rajonale tatimore bëjnë verifikimet dhe identifikojnë aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të muajit pasardhës, duke analizuar:

a) tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, duke verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare;
b) deklarimet e bëra dhe pagesat e kryera për tatimet dhe kontributet;
c) krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë
elektronike dhe detyrimet e paguara;
ç) të ardhurat e realizuara nga subjekti për vitin 2019.

Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet përfituese për të verifikuar nëse janë të mbyllura.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listen përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare për bankën përkatëse, me të dhënat e mëposhtme:

a) emrin, atësinë, mbiemrin, numrin e telefonit,
e-mailin;
b) numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) numrin e llogarisë bankare.

Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve miraton rregullat procedurale për mënyrën e bashkëpunimit me drejtoritë rajonale, institucionet përgjegjëse si dhe procedurat e kalimit në thesar të ndihmës financiare dhe njoftimin e subjekteve përfituese.

MASA E NDIHMËS FINANCIARE, EKONOMIKE DHE E PAGESËS TË SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA:
Ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

Pagesa e së ardhurës nga papunësia për subjektet që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

Efektet financiare, në masën 5 850 000 000 (pesë miliardë e tetëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, do të përballohen nga zëri “Kontingjenca për paketën sociale anti-COVID”, miratuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2020.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19, por jo më shumë se 3 (tre) muaj.