-Amnistia fiskale, përfitimet dhe rreziqet (Dritëhijet e nismës)
Prof.dr. Adrian Civici analizon amnistinë fiskale, efektet e saj në ekomoninë e vendit dhe problematikat që mbart si proces. “Pika më delikate e amnistive fiskale është ajo që cilësohet si “dita e nesërme”, që nënkupton pikërisht faktin se si i përgjigjen ndryshimet dhe përmirësimiet e sistemi fiskal dhe formalizimit mbylljes së çdo dere për të bërë evazion apo fshehje fiskale e financiare në të ardhmen”- shprehet ai në intervistë për gazetën Fjala.
Kryeministri Rama paraqiti dje paketën e aministisë fiskale të cilën pritet ta miratojë deri në Maj. A po nxitet kjo nga gjendja e pandemisë dhe çfarë përfiton shteti nga kjo?
Përveç problematikës së tyre mjaft komplekse, amnistitë fiskale kanë dy avantazhe apo qëllime kryesore në lidhje me atë që konsiderohet si “përfitimi i Shtetit”, për të cilat bëhen. Së pari, është përfitimi që ka shteti dhe ekonomia nga shuma e madhe e parave që amnistohen, që nënkupton “legalizimin”, “zbardhjen” apo “pastrimin” e një mase të konsiderueshme kapitalesh, deri tani të fshehura dhe të padeklaruara nga biznese apo individë të ndryshëm, të cilat kthehen në një “oksigjen” të domosdoshëm për ekonominë, për të rritur disponibilitetin monetar të vendit, shtimin e investimeve dhe konsumit si para tashmë të “pastra” dhe të përdorshme normalisht në ekonomi; së dyti, amnistitë fiskale janë një instrument efikas për reduktimin e informalitetit në ekonomi, sepse, jo vetëm që kthejnë në “kapitale të formalizuara” shuma të konsiderueshme parash duke rritur kanalizimin e tyre nëpërmjet sistemit bankar, por, të paktën ashtu siç ndodh zakonisht në këto raste, ato duhet të jenë të shoqëruara me paketa të plota ndryshimesh ligjore e procedurash fiskale e tatimore të cilat nuk do të lejojnë në të ardhmen, ose qoftë edhe duke e minimizuar këtë fenomen, evazion dhe fshehje të konsiderueshme të ardhurash.
Pika më delikate e amnistive fiskale është ajo që cilësohet si “dita e nesërme”, që nënkupton pikërisht faktin se si i përgjigjen ndryshimet dhe përmirësimiet e sistemi fiskal dhe formalizimit mbylljes së çdo dere për të bërë evazion apo fshehje fiskale e financiare në të ardhmen nga ana e bizneseve, organizatave, korporatave apo individëve në të ardhmen. Nëse këtë rradhë do mundemi të realizojmë një amnisti fiskale të plotë, të rregullt, të konsultuar gjerë sisht me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe partitë politike, përfitimet e shtetit mund të jenë të konsiderueshme. Në këto 30 vite “tranzicioni”, Shqipëria nuk ka mundur të bëjë asnjëherë një amnisti të plotë fiskale, por ka bërë ose amnisti të pjesshme, falje të ndryshme fiskale apo fshirjen nga regjistrat e kontabilitetit tatimor të detyrimeve dhe gjobave të papaguara deri në një datë të caktuar.
Kjo dobësi apo pamundësi lidhet me disa faktorë të rëndësishëm. Së pari, tentativat për amnisti janë konceptuar e vlerësuar më shumë si amnisti politike ose të klientelës politike të partivenë pushtet duke u shoqëruar me debate e polemika të ashpra politike e parlamentare si dhe mungesë konsensusi politik; së dyti, mungesa e eksperiencës, njohurive të plota për amnistitë fiskale dhe boshllëqet në legjislacionin dhe organizimin e sistemit fiskal, strukturat e specializuara të luftës kundër pastrimit të parave, etj.; së treti, mungesa e informacionit dhe statistikave të besueshme për paratë e fshehura apo të padeklaruara brenda dhe jashtë vendit, dhe për pasojë, pamundësia apo vështirësitë e konsiderueshme për të patur një panoramë të plotë të gjendjes, sasisë, vendndodhjes dhe statusit të këtyre parave.
Çfarë pasojash sjell për ekonominë futja e parave të padeklaruara në sistem? A mund të ketë një përllogaritje paraprake sa milionë euro mund të legalizohen nga ky plan?
Megjithëse akoma nuk ka një studim apo vlerësim paraprak, natyrisht të përafërt, se për çfarë shumash flitet se mund të amnistohen, përsëri mendoj se, në qoftë se kjo amnisti do jetë transparente, e mirëmenduar dhe e zbatuar me standartet bashkëkohore, shumat që mund të amnistohen mund të arrijnë në disa miliarda euro apo dollarë. Natyrisht, që në arkën e shtetit kontributi direkt është i vogël, sepse edhe vetë penalitetet e menduara janë 5, 7 apo 10% në varësi të tremujorëve të deklarimit, por mundësitë që këto para të investohen shpejt në ekonomi apo të stimulojnë konsumin, janë ato që japin efektin më të madh. Tashmë, Shqipëria ka një sërë marrëveshjesh shkëmbimi informacioni dhe bashkëpunimi me institucione analoge europiane apo ndërkombëtare, gjë që na krijon më shumë mundësi për të disponuar informacion më të plotë e më të saktë për paratë, kapitalet apo pasuritë që janë objekt i aplikimit të amnistisë fiskale.
Natyrisht, siç tregojnë eksperiencat e mjaft vendeve të tjera që kanë aplikuar apo po aplikojnë amnisti fiskale, një element i rëndësishëm mbetet “dëshira dhe gadishmëria” e subjekteve ekonomike dhe individëve për tu bërë pjesë e amnistisë fiskale. Sa më i madh të jetë numri i atyre që besojnë në qëllimin e mirë të amnistisë fiskale, në transparencën e saj, në gjithë procedurat dhe objektivat realë të saj, aq më i madh do jetë efekti i saj.
Deri tani, vështirë të pohohet se gjithçka po ecën normalisht në këtë drejtim. Partitë e opozitës po e kundërshtojnë me forcë projektin apo propozimi e amnistisë fiskale si një “lavatrice të madhe të pastrimit të parave”. Akoma nuk ka një informacion të plotë se si procesi i rrifilluar për vënien në jetë të amnistisë ka marrë parasysh sugjerimet e FMN-së “për nevojën e një rrishikimi të strategjisë së amnistisë fiskale”. Shqipëria vazhdon të jetë në listën gri të MONEYVAL, dhe BE ka përcaktuar që një nga parakushtet e Shqipërisë në procesin e integrimit është dalja nga kjo listë dhe lufta ndaj Pastrimit të Parave. Dyshimi se para të prodhuara nga aktivitete kriminale do të vijnë në Shqipëri do të deklarohen si para të prodhuara në punë të zezë në emigracion, dhe në këtë mënyrë do t’i hapet rruga një fluksi të madh parash të zeza që të futen në sistem. Akoma në publik dhe në grupet e interesit nuk ka një dokument të plotë paraprak për strategjinë e amnistisë fiskale dhe procedurat e aplikimit të saj. Ndoshta në ditët apo javët në vazhdim, shumë nga këto pengesa, mungesa apo të meta do diskutohen dhe fillojnë të marrin zgjidhje konkrete, por thelbësore mbetet transparenca dhe objektivat e qarta të kësaj amnistie fiskale, të cilat duhet të jenë sa më eficente, të qarta dhe të pranueshme nga gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces si dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Shqetësimi kryesor është pastrimi i parave të krimit e korrupsionit. Si mund të ndalohet kjo kategori nga amnistia, a ka mekanizma shteti për ta bërë këtë?
Me informacionin e deritashëm, nga amnistia duket se përjashtohen tre kategori përfituesish potencialë: personat që merren me aktivitetet kriminale, politikanët, prokurorët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. “Përjashtohen të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitetet e caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është subjekt direkt i veprimtarisë së ligjit special dhe të OFL, po ashtu përjashtohen të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë bashkë me rrethin e tyre familjar dhe të gjithë ata që janë në radhët e Policisë së Shtetit, gjykatësve, prokurorëve apo në radhët e rangjeve të larta të administrates”. Në një farë mënyre, këto përjashtime i japin përgjigje shqetësimeve reale dhe të drejta për të mos lejuar pastrimin e pasurive dhe parave të lidhura me krimin dhe korrupsionin. Në botë ka edhe eksperienca të aplikimit të amnistive fiskale gjithëpërfshirëse në të cilat lista e atyre që nuk përfitojnë nga amnistia ka qenë më e vogël dhe më e ngushtë, por në situatën aktuale në të cilën gjendet Shqipëria, sidomos e ballafaquar me nevojën e përfundimit të reformës në drejtësi, e daljes nga lista gri e vendeve joeficentë në luftën kundër pastrimit të parave, apo kushtet specifike të BE-së në këtë drejtim, si dhe konfliktualitetin e madh politik për klientelizmin, oligarkët, tenderat shtetërorë, konçensionet, PPP, etj., duket e arsyeshme që katër kategoritë e mësipërme të përjashtohen nga përfitimet e amnistisë fiskale.
Ashtu siç thuhet shpesh se “djalli fshihet në detaje”, edhe në këtë rast, duhen njohur detajet dhe procedurat kryesore të gjithë paketës ligjore të amnistisë fiskale për të patur të qartë se cfarë mekanizmash konkretë do përdoren për tu bërë e mundur ndalimi i pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit. Një pjesë e konsiderueshme e parave të krimit dhe korrupsionit janë të vështira për tu identifikuar lehtësisht, duke kërkuar metoda më të sofistikuara ligjore, institucionale e operative për tu zbuluar apo penguar që të amnistohen.
Amnistia fiskale a nxit kulturën e mospagimit të taksave dhe a e dëmton kjo biznesin e ndershëm që deri tani ka qenë korrekt me detyrimet?
Kjo është pika më delikate e amnistive fiskale. Në vende të ndryshme që kanë realizuar amnisti fiskale të gjera, një rëndësi e veçantë i është kushtuar pikërisht “eleminimit apo minimizimit të krijimit të kulturës së mospagimit të taksave në emër të idesë se mbas disa vitesh do ketë një tjetër amnisti fiskale, kështu që mund të vazhdojmë të mospaguajmë taksa”. Kjo është arsyeja kryesore, e përmendur dhe më lart, e vlerësimit me shumë rigorozitet e përgjegjësi të “day after”, pra, e gjithë përmirësimeve ligjore fisale e formalizuese që shoqërojnë paketën e amnistisë fiskale, të cilat nuk lejojnë që të “nesërmen” të ekzistojnë po ato dobësi e mungesa që lejojnë kulturën e mospagimit të taksave e detyrimeve të tjera ligjore.
Natyrisht që amnistia fiskale e dëmton biznesin e ndershëm e korrekt me ligjin dhe detyrimet fiskale, sepse gjatë kësaj periudhe ai është përballur me një konkurrencë të pandershme në treg nga individët dhe agjentët e tjerë ekonomikë, konkurrencë që në mjaft raste e ka dëmtuar rëndë në ecurinë e biznesit dhe fitimit të tij. Në këtë rast, për të qënë sa më i ndershëm e korrekt, Shteti apo qeveria duhet të ndërtojë një komunikim transparent me biznesin e ndershëm, në rradhë të parë duke shpjeguar se nga amnistia fiskale “që sot e tutje” ata nuk do përballen më me konkurrencën e pandershme dhe informalitetin, por edhe duke kërkuar mirëkuptimin e tyre për vështirësitë dhe humbjet e pësuara deri në këto momente si pasojë e informalitetit, korrupsionit dhe mashtrimeve fiskale të subjekteve që do përfitojnë nga amnistia fiskale./Fjala.al