MENU
klinika

Analiza në DW rendit faktorët

COVID-19/ Pse Gjermania ka sukses edhe në këtë krizë?

17.04.2020 - 17:36

Nga Auron Dodi

Qeveria gjermane vendosi t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike. Pak lehtësime do të zbatohen që nga e hëna e javës që vjen, lehtësime më të mëdha do të pasojnë prej datës katër maj. Në zbatimin e këtyre masave, landet federale vënë pikërëndesa të ndryshme, në përputhje me veçoritë rajonale. Por megjithë tendencën për një interpretim më liberal të vendimeve federale në landin e Rhenanisë Veriore-Vestfalisë dhe për një kurs më restriktiv në Bavari, e përbashkëta në Gjermani është vazhdimi i kufizimit të gjerë të jetës publike dhe ekonomike.

Arsyeja ka të bëjë me faktin se në këtë epidemi nuk ndihmojnë as nxitimi, dhe as përpjekjet këmbëngulëse për të parashikuar me çdo kusht të ardhmen afatgjatë. Orientimi kryesor për qeverinë gjermane janë përfundimet e shkencëtarëve, të cilat bazohen kryesisht në modele matematikore. Instituti kryesor i epidemiologjisë në Gjermani, Instituti-Robert-Koch aktualizoi së fundi edhe një studim të tij të vitit 2012, për virusin Sars. Në të përshkruhen skenarë të mundshëm të ecurisë së epidemisë së Covid-19.

Modelet dhe skenaret për virusin në Gjermani

Në këtë situatë të panjohur në Gjermani, edhe qeveria qendrore bazohet në modele për të marrë vendime. Kancelarja Angela Merkel shpjegoi për mediet se hapësira që ka qeveria për t’i lehtësuar masat është ende e vogël. Një rritje fare e vogël e infektimeve mund ta çojë edhe sistemin shëndetësor gjerman në limit të kapaciteteve. Aktualisht, shkalla e riprodhimit të virusit, pra numri i njerëzve që infekton 1 njeri është afërsisht 1 person (sot 0,7). Po të rritet kjo shkallë në 1,1, të gjithë shtretërit e reanimacionit në Gjermani do të zihen në muajin tetor. Nëse ndër pesë vetë, një njeri, fillon të infektojë jo 1 tjetër, por 2 vetë të tjerë, kurse të tjerët infektojnë vetëm 1 person tjetër, pra nëse shkalla e riprodhimit nuk është më 1, por 1,2, kapacitet e sistemit shëndetësor gjerman arrihen në korrik.  Po të kemi edhe një rritje më të madhe të numrit, në 1,3, kapacitetet arrijnë në limit që në qershor.

I njohur është edhe skenari hipotetik që përshkruan në një studim të aktualizuar të vitit 2012 Instituti-Robert-Koch në Gjermani. Po të konfirmohet ai priten disa valë të epidemisë së virusit Corona. Vala e dytë e infektimeve parashikohet në vjeshtë të këtij viti. E treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshtë 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i plotë i popullatës, pra do të infektohen 60-70 përqind e saj. Pra edhe do të ketë edhe antitrupa kundër virusit Corona tek njerëzit. Me daljen e një vaksine kundër virusit Corona, pasojat te njerëzit do të minimizohen. Provat klinike për këtë vaksinë fillojnë edhe në Gjermani javët e ardhshme.

Gjermania e gatshme për më shumë pacientë të huaj

Për të ardhmen, në kohët kësaj pandemie, në Gjermani vendoset çdo dy javë. Në 30 prill në Berlin do të diskutohet sërish a do të zbuten edhe më tej kufizimet.  Këtë të premte (17.04.), ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se përhapja e virusit në Gjermani është bërë e menaxhueshme.

Kjo e lejon Gjermaninë që t’i ndihmojë më mirë shtetet e tjera për përballimin e virusit. Ministri Spahn u ka ofruar shteteve të tjera bisedime për parametrat e trajtimit në Gjermani të pacientëve të tjerë të huaj. Deri tani për kurim në reanimacion në Gjermani kanë ardhur 220 pacientë të huaj me virusin Corona: mbi 130 pacientë nga Franca, 50 nga Italia dhe 50 nga Holanda.

Admirim nga partnerët evropianë për Gjermaninë

Gjermania shihet me admirim për menaxhimin e kësaj krize nga shumica e shteteve evropiane. Organizata britanike, London Deep Knowledge Group madje e kategorizoi Gjermaninë “vendin më të sigurtë dhe më stabil në Evropë, dhe të dytin në botë”, bazuar në menaxhimin e krizës. Vendi i parë në botë është Izraeli, që ka përvojë të gjerë me krizat. Pastaj vijnë Zvicra e Austria. SHBA vijnë në vendin e 70-të.  Këtë kategorizim të qendrës britanike e citon sot revista Der Spiegel.

Vlerësimi i botës për Gjermaninë në këtë pandemi bazohet në disa faktorë:

Së pari, në nivelin e përgatitjes paraprake dhe të pajisjes së sistemit shëndetësor gjerman. Numri gjithsesi i lartë i shtretërve të kujdesit intensiv para epidemisë, 28.000 shtretër, u rrit aktualisht në 40.000. 30.000 nga këta shtretër kanë aparate respiratore. Meqenëse 10.000 shtretër të kujdesit intensiv janë ende bosh, Gjermania i vë tani ato në dispozicion të pacientëve nga shtetet e tjera, duke ruajtur një rezervë prej 25-30 përqind.

Së dyti, faktor i rëndësishëm ndihmues në këtë krizë të virusit është numri i madh i spitaleve në Gjermani. 1400 spitale janë të shtrira në të gjithë Gjermaninë. Në situatën e tanishme kjo rezultoi e favorshme për testime dhe kurime. Refuzimi i autoriteteve për ta përgjysmuar në 600 numrin e spitaleve, siç kishte propozuar Fondacioni Bertelsmann, për të rritur më tej cilësinë e shërbimit, tani rezultoi fatlum.

Së treti, suksesi i Gjermanisë në këtë krizë bazohet në strategjinë e testimit në masë të popullatës dhe në veçimin pastaj të të infektuarve nga grupmoshat në rrezik. 160.000 teste në javë kryheshin që në fillim të epidemisë në Gjermani, 350.000 teste në javë kryhen sot (kapaciteti është për 700.000 teste në javë, deklaroi të premten ministri Spahn).  Për çdo 100 mijë banorë, Gjermania teston mbi 2079 vetë. SHBA testojnë p.sh. 851 vetë.

Këto masa pasqyrohen edhe në numrin deri tani të ulët të të vdekurve nga virusi Corona në Gjermani: pak më shumë se 3000 vetë kanë ndërruar jetë – nga një numër i përgjithshëm prej rreth 134.000 të infektuarish. 81.000 vetë ndërkohë janë shëruar.

Jo së fundi, në këtë pandemi për çdo shtet luan rol edhe rastësia. Të infektuarit e parë në këtë pandemi në Gjermani ishin kryesisht të moshave më të reja, të cilat e përballojnë virusin më lehtë. Izolimi i tyre pas testimeve nga grupmoshat më të mëdha, të rrezikuara më fort, e frenoi numrin e viktimave.

Parashikimet për daljen e vaksinës kundër Covid19 variojnë: më optimistet e shohin daljen e saj në vjeshtë, të tjerët pas një viti e gjysmë, aq sa nevojitet zakonisht për vaksinat. Deri atëherë ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në jetën e përditshme. Por me “mendimet e duhura” në mendje: duke ruajtur një distancë 1,5 metra nga të tjerët; me shmangie të aktiviteteve jo të domosdoshme publike; duke mbajtur maska mbrojtëse në dyqane dhe në transport publik, të cilat tani qeveria gjermane i rekomandon me këmbëngulje; dhe duke larë e dezinfektuar duart e sipërfaqet.

“Gjendja është siç është”, është një shprehje tipike e zonës së Këlnit në Gjermani. Situatën aktuale duhet ta pranojmë me ndërgjegje radikalisht, dhe të pranojmë si normale edhe pasigurinë.  Gjithsesi, njerëzimi është programuar për të mbijetuar – dëshmia jemi të gjithë ne./DW

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!