Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe pesë raste të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 140. Gjithashtu, më 4 prill janë shëruar edhe shtatë pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 23. Më herët, Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se tre javët e ardhshme janë kritike të shpërthimit të rasteve me COVID-19.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, të mbajnë higjienën personale dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve të Kosovës. Ramadani tha se qytetarët duhet të mbajnë distancë fizike prej dy metra, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e virusit.
“Apeloj që këto tri javë mos të tubohen, të qëndrojnë në shtëpi sepse do të kalojë sa më lehtë që është e mundur nëse i përmbahen rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë”, tha Ramadani. Ai këto komente i bëri në një konferencë për media në Prishtinë.