Presidenti Hashim Thaçi ka ndërmarrë veprimin e parë në tentimin për ta krijuar një qeveri tjetër. Pasi finalizoi konsultat me të gjitha partitë parlamentare, Thaçi i ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, për t’ia kërkuar mandatarin e ri.
Por, Vetëvendosje e cila insiston në shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, pasi të ketë kaluar rreziku nga përhapja e pandemisë së koronavirusit, nuk ka treguar nëse do t’i dërgojë emër tjetër presidentit dhe kur do ta bëjë këtë, shkruan KOHA.
Megjithatë, një përgjigje do t’ia japë presidentit. Kushtetuta qëndron e heshtur sa i përket afatit se deri kur presidenti duhet ta presë partinë fituese për t’ia dërguar emrin. Kjo rrethanë, sipas interpretimit të juristëve, mund ta çojë në pafundësi caktimin e mandatarit, nëse Vetëvendosje shprehimisht refuzon ta dërgojë emrin ose të heqë dorë nga mandatari.
Në një letër që Thaçi ia ka nisur Kurtit të enjten, ka thënë se veprimet i ka bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 1 korrik 2014, në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 6 tetor 2019, ku Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar.