Infektologu, Sali Ahmeti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse koronavirusi i ri ndjekë një zhvillim normal, në fillim të muajit maj do të fillojë të tërhiqet. Ai thotë se nëse bëhet një krahasim me viruse e tjera që janë shfaqur në Kosovë si i etheve krime-kongo, ka treguar virulencë më të madhe dhe ka qenë më patogjen në raport me koronavirusin. Ahmeti thotë se tani për tani në Klinikën Infektive është e rëndësishme që edhe stafi mjekësor të mos preket nga koronavirusi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti cila janë sfidat me të cilat po përballeni ju dhe stafi shëndetësor me personat me COVID-19?
Sali Ahmeti: Vetë qasja ndaj këtyre pacientëve është një sfidë e veçantë për stafin shëndetësor, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe stafit mbështetës, kështu që kanë qasje të afërt me pacientë në të ashtuquajturat repartet e izolimit. Meqenëse, edhe pse ne përpiqemi maksimalisht që t’i respektojmë masat e mbrojtjes personale, megjithatë asnjëherë nuk mund të eliminohet rrezikshmëria e bartjes së infeksionit edhe te stafi.
Pra, rrezikshmëria e bartjes se infektonit të stafi shëndetësor është e mundshme përkundër respektimit maksimal të masave mbrojtëse dhe në rast se kjo ndodh, natyrisht që kjo do të pasojë edhe me zvogëlimin e numrit të personelit shëndetësor.
Kjo është sfidë e veçantë dhe ne po bëjmë të gjithë të mundshmet që të mos kemi të prekur me këtë virus në mesin shëndetësor dhe natyrisht e them një sfidë e veçantë përkundër se ne i kemi disa përvoja në menaxhim të epidemive edhe të mëhershme.
Por, ky koronavirusi ka krijuar disi një fobi ndaj qasjes së këtyre pacientëve- një panik, ndoshta real deri diku, ndoshta mos të them edhe të tepruar, megjithatë ne tash e kemi kaluar atë krizën, sidomos kolegët që për herë të parë ballafaqohen me të sëmurë të tillë.
Pak a shumë disa ditë ka pasur një qasje ndaj këtyre pacientëve me një lloj droje apo fobie, por tash jemi ambientuar dhe besoj se çdo gjë po shkon në rregull. Stafi është i motivuar dhe po jepet krejt çka është e mundur për t’ju ndihmuar atyre pacientëve. Ende po arrijmë që t’i menaxhojmë pa ndonjë shqetësim të veçantë.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kapacitetet e institucioneve shëndetësore për ta luftuar këtë virus?
Sali Ahmeti: Nëse ne, vazhdojmë me trendin aktual të lajmërimit të rasteve, apo më një lakore të sheshtë të paraqitjeve të rasteve, qoftë të atyre në mesin e personave të kontaktimit apo të atyre që kërkojnë ndihmën spitalore, unë mendoj se ne kemi kapacitet dhe staf mjekësor të mjaftueshme që t’i menaxhojmë këto raste. Nëse eventualisht ndodh ndonjë e papritur ose një rritje e pakontrolluar dhe e paplanifikuar e rasteve, atëherë varësisht nga incidenca e personave të prekur, gjërat do të vështirësohen. Shpesh edhe kjo epidemi u ka bërë probleme edhe mjekësive shumë të përgatitura e të avancuara, qoftë të vendeve evropiane të cilat kanë qenë mirë të përgatitura, qoftë me staf mjekësor dhe me infrastrukturë gjegjëse.
Kosova është ballafaquar gjithmonë me virus të rrezikshëm
Radio Evropa e Lirë: Kaloi një periudhë kohore që kur është paraqitur rasti i parë me COVID-19 në Kosovë. Si e shikoni gjithë këtë situatë dhe a mendoni se ka pak raste në Kosovë?
Sali Ahmeti: Krahasuar me vendet e tjera, megjithatë unë mendoj jemi mirë edhe me numrin e rasteve të konfirmuara në terren, po edhe ato të cilat arrijnë në spital. Nuk duhet lënë anash edhe përgatitje me kohë dhe masat e marra, qoftë edhe nga të gjitha institucionet shëndetësore dhe qeveritare dhe në anën tjetër, duhet falënderuar që edhe qytetarët tonë të cilët kanë përfillur – mendoj ndonjë lëshim do të ketë gjithmonë- por në mënyre mjaft të mirë i kanë përfillur rekomandimet e dhëna nga ekspertët shëndetësorë.
Kështu që masat e izolimit, distancës, higjienës personale, kanë luajtur rolin e tyre. Në anën tjetër, stafi shëndetësor unë besoj se ju ka përgjigjur të gjitha këtyre sfidave me një gatishmëri.
Unë mendoj se nëse virusi ndjekë një zhvillim normal apo natyror të viruseve të ngjashme nga familja e tij, unë mendoj se ne nga fillimi i majit do të filloj ky virus të tërhiqet, natyrisht që gjatë muajit maj ne duhet të kemi numër shumë më të reduktuar të rasteve. Kjo është një logjikë e natyrshme e zhvillimit epidemik të viruseve nga familja e koronavirusëve dhe viruseve të tjera respiratore edhe pse virusi ka të panjohura të shumta. [Virusi] ende mbetet enigmatik dhe në rastet e tilla, mund edhe të na befasojë, por ato do të ishin përjashtime të veçanta të këtij virusi.
Radio Evropa e Lirë: A është ky virusi më i keq që keni luftuar që kur jeni mjek i sëmundjeve ngjitëse?
Sali Ahmeti: Krahasuar me viruset, ne në vazhdimësi jemi përballuar edhe me shpërthime epidemike. Për shembull ne kemi pasur hepatitin A, në fund të vitit 99 me mbi 20 mijë raste.
Kemi pasur shpërthimin epidemik 2003 të tularemisë. E kemi pas në vitin 2017-2018, epideminë e fruthit, meningjiti ceroz-viral në vitin 2016, por ne jemi vend endemik për ethet hemorragjike virale në mënyrë të veçantë ato të krime-kongos, të cilat janë sëmundje me kontagjezitet të lartë që barten në mesin e njerëzve dhe të stafit shëndetësor dhe shkaktohen nga një virus i cili është patogjen.
Unë mendoj, gjykuar në bazë të rasteve tona, duke krahasuar një përvojë klinike, ne mes të atyre pacientëve dhe tash, mund të them se virusi i etheve krime-kongo, ka treguar virulencë më të madhe, ka qenë më patogjen në raport me koronavirusin.
Kryesisht atje janë prekur moshat të reja dhe në prekjen më të madhe dhe vdekshmërinë më të madhe e kemi pasur të moshat e reja 20 deri në 40 vjeç.
Ndërsa virusi COVID-19, është një virus që në raport me atë ndoshta ka një agresivitet më të pakët. Një numër i konsiderueshëm i rasteve shkon me forma asimtomatike dhe të lehta.
Format e rënda, sidomos në patologjinë e deritashme tonën janë të rezervuara kryesisht për moshat mesatare apo moshat e shtyra, të cilat krahas infeksionit me koronavirus kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, që në rastet tona kanë rezultuar prej 1 deri në 4, 5 prekje të sistemeve me rëndësi vitale të cilët kanë qenë probleme kronike, në mënyrë të veçantë të diabetikët, pastaj edhe bronkitit dhe sëmundjet e mëhershme kronike mushkërore.
Ndërsa, moshat e reja, ne kemi pasur edhe këtu një fëmijë të moshës 5 muajsh dhe tjetri 5 vjeç, por kanë kaluar sëmundjen pa ndonjë komplikim të veçanta dhe ne para disa dite i kemi liruar në shtëpi të tyre në gjendje të mirë.
Po, kjo çka e bën më të veçanta është patogjeniteti i lartë i këtij virusi, do të thotë se aftësia për bartje inter-humane në mesin e personave, një arsye shumë e madhe për kundërvirulencë më të ultë në raport me virusin e etheve hemorragjike krime-kongo.