MENU
klinika

“Çfarë këshillon ‘babai i monetarizimit”

Sa i mundur është përdorimi i ‘helikopterit që hedh dollarë’?

08.04.2020 - 15:17

Adrian CIVICI

Në kuadër të debateve e propozimeve të shumta për identifikimin dhe përdorimin e instrumenteve e masave eficente për përballimin e efekteve të rënda ekonomike e sociale të kësaj krize që po shkakton pandemia e covid-19, qarkullon dhe ideja e “vlerësimit të mundësive për përdorimin e instrumentit të helikopterit monetar si një masë apo recetë shpëtimtare”, deri diku edhe si një “recetë magjike cudibërëse”. Tashmë, ky është një debat dhe propozim mjaft i përhapur ndërkombëtar, jo vetëm në mjediset bankare e financiare, por kudo në mjediset politike, akademike e publike.

“Helikopteri monetar” është artikuluar shpesh si propozim apo kërkesë, edhe në Shqipëri, si një “masë apo veprim që duhet ndërrmarë nga Banka e Shqipërisë në kuadrin e politikave të domosdoshme, qoftë dhe të jashtëzakonshme, për injektim masiv të likuiditetit në ekonomi, për mbështetjen e konsumit të individëve dhe familjeve, apo edhe si politikë e rëndësishme e monetarizimit të borxhit publik”. A është realiste dhe e mundur që Banka e Shqipërisë të marrë në konsideratë dhe të aplikojë një instrument të tillë? Cilat do ishin avantazhet dhe pasojat negative të një politike të tillë monetare?

Nga ana e Bankave Qëndrore, ky instrument financiar konsiston në dhënien direkt të parave familjeve në mënyrë që të stimulohet kërkesa dhe nxitet aktiviteti ekonomik. Teorikisht duket një instrument shumë joshës e shpëtimtar në këtë situatë krize të rëndë ekonomike, financiare e sociale që po kalojmë, por praktikisht, vështirësitë teknike dhe efektet negative kolaterale të tij, i kanë frenuar deri tani Bankat Qëndrore që ta aplikojnë konkretisht këtë instrument financiar. Përse?

Printimi i monedhave të reja në sasi të mëdha dhe hedhja e tyre nga helikopteri në shtëpitë apo portofolet e familjeve apo individëve në formën e një “dividenti qytetar” në mënyrë që të konsumojnë më shumë dhe të ndihmojnë në rringritjen ekonomike. Ky ishte imazhi që përdori Milton Friedman, “babai i monetarizmit” në vitin 1969 për të ilustruar teorinë e tij të “helikopterit monetar” në librin “The optimum quantity of money”, në të cilin Friedman përdor metaforën “supozojmë që një helikopter fluturon mbi një qëndër të banuar dhe hedh nga 1000 usd për cdo familje apo individ. Natyrisht që njerëzit do dalin menjëherë që të mbledhin këto para. Le të shkojmë akoma më tej duke supozuar se gjithë këta njerëz do binden se kjo është një masë e jashtëzakonshme që nuk do të përsëritet më”.

Megjithëse Milton Friedman e shprehu këtë ide në formë metafore më shumë se një propozim konkret si instrument monetar, ky koncept u bë shumë popullor në gjirin e ekonomistëve dhe bankierëve, deri edhe në një alternativë politike. Kjo ide erdhi përsëri në skenë në vitin 2012 nga një grup ekonomistësh që e pagëzuan atë si “lehtësimi sasior për popullin”. Për mbrojtësit e kësaj ideje, helikopteri monetar mund të ishte një mënyrë eficente për të stimuluar inflacionin kur ekonomia është në situatën e “kurthit të likuiditetit” dhe bankat qëndrore kanë ulur pothujase drejt zeros normat bazë të interesit.

Në mënyrë më të përgjithshme, me helikopterin monetar nënkuptohet një rritje e shpenzimeve publike – ose ulje e taksave – që nuk shoqërohet “në të njëjtën masë” me rritjen e borxhit publik ose deficitit buxhetor. Formalisht, situata është e ngjashme me fenomenin e “monetarizimit të borxhit nga ana e Bankave Qëndrore. Kjo mund të ndodhë në dy mënyra : ose Banka Qëndrore ble bondet e thesarit të qeverisë duke i “shkrirë” në llogaritë e saj, pra ato nuk egzistojnë më si detyrime buxhetore për tu paguar nga ana e Shtetit; ose Bankat Qëndrore kalojnë direkt në llogaritë bankare të qytetarëve një shumë të caktuar parash.

Por, në këtë logjikë veprimi duhet diferencuar “helikopteri monetar” nga “lehtësimi sasior”, megjithëse në pamje të parë, të dy operacionet financiare kanë të bëjnë me krijimin monetar nga ana e Bankave Qëndrore. Me “lehtësimin sasior”, Bankat Qëndrore krijojnë rezerva monetare të cilat i përdorin për blerjen e aktiveve financiare, obligacioneve, etj. Në këtë rast kemi të bëjmë me një transferim direkt të këtyre aktiveve me një impakt indirekt në ekonominë reale. Në të kundërt, në rastin e helikopterit monetar, Bankat Qëndrore shpërndajnë direkt monedhën e krijuar prej tyre, pa pasur asnjë aktiv financiar si kundërparti. Kjo është një formë direkte e krijimit monetar.

Koncepti i “helikopterit monetar”, i konsideruar për shumë kohë si i pazbatueshëm apo thjesht mundësi teorike, rrivjen vrullshëm në skenë në kohën kur ekonomitë më të mëdha të planetit po përballen me mundësinë e një recesioni të frikshëm të provokuar nga pandemia e coronavirusit.

Debati u bë më i mprehtë dhe propozimet më të zëshme, në momentin kur Senati amerikan miratoi planin e shpëtimit apo mbështetjes ekonomike prej 2000 miliardë dollarësh, i cili përmbante dhe shpërndarjen e një ceku prej 1200 usd për gjithë personat mbi 18 vjec që fitonin më pak se 75000 dollarë në vit. Një masë të ngjashme kishte marrë dhe Singapor-i pak javë më parë. Që nga ky moment, në shumë vende të botës, vendet e eurozonës dhe BE-së, Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Australia, përfshirë dhe Shqipërinë, filluan diskutimet, sugjerimet dhe propozimet që në emër të helikopterit monetar, për shpërndarjen e ceqeve apo zarfeve me 100, 500 apo 1000 euro apo dollarë për frymë apo familje, si mjeti më eficent për mbështetjen e konsumit dhe nxitjen e kërkesës në ekonomi. Argumenti kryesor i propozuesve të kësaj mase ishte se “politikat monetare të bazuara në lehtësimin sasior kanë arritur në limitet e tyre … në këto kushte zgjidhja tjetër, natyrisht ekstreme, duhet të jetë aplikimi i helikopterit monetar”.

Por, në këtë rast, kuptimi dhe interpretimi i kësaj mase të SHBA, nuk ështëi saktë. Megjithëse kudo, vecanërisht në media dhe debatin publik, ajo u prezantua si zbatim i helikopterit monetar, në fakt, kjo masë nuk korrespondon me kuptimin e vërtetë të helikopterit monetar. Ekonomistë të ndryshëm shpjegojnë se “ndërkohë që helikopteri monetar konsiston në dhënien direkte të parave të krijuara nga Banka Qëndrore agjentëve ekonomikë, qofshin këta individë apo biznese … veprimi i SHBA është një instrument i pastër buxhetor, është një formë subvencioni buxhetor dhe jo një krijim monetar i Fed”. Fakti që ky operacion financiar ju besua Bankës Qëndrore ka të bëjë me “aftësinë dhe mundësitë e kësaj banke që të veprojë shpejt dhe me eficencë”, si institucioni përgjegjës për mbajtjen në kontroll të inflacionit.

Por, sa e mundur, dhe mbi të gjitha, cilat janë pasojat dhe efektet negative të një veprimi të tillë nga Bankat Qëndrore? Përtej analizave e diskutimeve me karakter të pastër teorik, praktikisht, nëse vihen në peshore efektet pozitive dhe ato negative të aplikimit të helikopterit monetar, nga do anonte peshorja, qoftë dhe duke e parë këtë veprim në këndvështrimin e një situate krize të thellë ekonomike e financiare që po kalojmë? Ekonomistët dhe vecanërisht bankierët mendojnë se “helikopteri monetar” duhet të vazhdojë të mbetet thjesht një metaforë dhe një ide e vullnetit të mirë për të injektuar likuiditet në ekonomi, por që, në aspektin praktik, asnjë vend apo Bankë Qëndrore nuk duket e prirur ta vërë në zbatim, qoftë edhe në kushte ekstreme krize si kjo e koronavirusit”. Arma apo instrumenti financiar më i preferuar i Bankave Qëndrore do vazhdojë të mbetet “lehtësimi sasior”, ndërsa për Shtetet dhe qeveritë e ndryshme “rritja e borxhit publik”.

Kur flitet apo analizohen efektet negative dhe risqet e mëdha të përdorimit të helikopterit monetar, evidentohen elemente të tilla si : tronditje të mëdha dhe shpesh të pamenaxhueshme të stabilitetit financiar të vendit, përkeqësimi i bilanceve të Bankave Qëndrore duke vënë në rrezik rolin dhe stabilitetin e vetë Bankave Qëndrore, humbjen e besueshmërisë së Bankave Qëndrore dhe gjithë pasojave të rënda që burojnë nga kjo gjë, c’vlerësimin e monedhës, rritjen e inflacionit dhe vështirësive për ta kontrolluar atë, rritje e cmimeve, goditje e rëndë për fuqinë blerëse sidomos për shtresat e varfëra ato vulnerabël apo pensionistët, rreziku që inflacioni në cmimet e konsumit të transferohet në rritjen e cmimeve të aktiveve financiare duke ushqyer krijimin e flluckave financiare të rrezikshme dhe burim potencial i krizave të forta financiare në periudha afatshkurtëra dhe afatmesme, humbjen e besueshmërisë së Shteteve dhe qeverive, dmth, vlerësimin gjithnjë e më negativ të tyre në raport me stabilitetin financiar dhe menaxhimin buxhetor e borxhin publik, dhe së fundi, dimensioni “universal” i helikopterit monetar, cënon rëndë dhe parimin e eficencës së kapitalit dhe aktiveve financiare duke minimizuar apo dhe duke e nxjerrë jashtë loje “meritokracinë” në sferën bankare e tregjet e kapitalit.

Për të gjithë këto arsye, aq më tepër në një vend si Shqipëria, me një ekonomi të brishtë, me një stabilitet makroekonomik po kaq të brishtë, me një sistem bankar në konsolidim, nuk do ishte e mundur dhe rezultative përdorimi i helikopterit monetar si zgjidhje në këtë situatë të rëndë krize të koronavirusit që po kalojmë. Maksimumi ku mund të shkojmë, nëse situata përkeqësohet dhe nevoja për likuiditet bëhet jetësore, mund të orientohemi drejt politikave monetare jo-konvencionale të lehtësimit sasior.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!