Ambasada britanike ka reaguar për situatën politike në Kosovë duke u shprehur se nuk është është koha për manovrime politike, por vetëm për bashkëpunim të brendshëm politik.
“Angazhimi rreth sfidës me pandeminë Covid-19, aktualisht është detyra kryesore me të cilën po përballen qeveritë në gjithë rajonin dhe kudo në botë. Të kërkohet vendosmëri, qëndrueshmëri dhe këmbëngulje nga të gjitha Institucionet e Kosovës. Kjo nuk është kohë për manovrime politike, por për bashkëpunim të brendshëm dhe me rajonin”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.
Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet dhe që vendimet të merren shpejt që t’i mundësohet qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë synimi kryesor.
“Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale. Ne përshëndesim vendimin e qeverisë në detyrë për heqjen e tarifave në mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë”, thuhet në reagim.
Gjithashtu theksohet se dialogu duhet të dërgojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, juridikisht detyruese, që respekton integritetin territorial dhe normalizon marrëdhëniet bilaterale, që është e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve dhe që do të ofrojë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin.
“Me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut. Ne ftojmë qeverinë në detyrë ose atë të re, që në të njëjtën kohë të punojë në arritjen e prioriteteve afatgjata të njerëzve, të reflektuara në zgjedhjet e fundit të tetorit, duke u fokusuar në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, përfundon reagimi i ambasadës.