MENU
klinika

90-vjeçarja: Nuk kisha asnjë shenjë...

Të mbijetuarit e COVID-19 rrëfejnë betejën me frikën dhe sëmundjen

16.04.2020 - 15:33

Koronavirusi vdekjeprurës SARS-CoV-2 është i paparashikueshëm; ai i sprovon të sëmurët dhe përjetimet e tyre në mënyra të ndryshme. Ndërsa drama njerëzore nis me simptomat e para në shtëpi, ajo zhvillohet pas dyerve hermetike të spitalit Infektiv në Tiranë – ku mjekët mund t’i dallosh vetëm nga zëri që buçon përmes veshjes së çuditshme prej austronauti.

Aty, një paciente nga Fieri përgjon fytyrën e të shoqit të mbuluar nga një maskë oksigjeni, qan në heshtje dhe lutet për shërimin e tij. Ndërsa një gjyshe 90-vjeçare nga Hasi e mposht ngadalë frikën që e mbërtheu prej fyti, falë fjalëve inkurajuese që dëgjon çdo ditë nga mjekët.

Ndërsa luftojnë me sëmundjen, disa përballen me ankthin e të tjerë me ndjenja faji. Dhe shumë prej të mbijetuarve të COVID-19 në Shqipëri refuzojnë ta tregojnë historinë e tyre publikisht nën presionin e stigmës. Pesë javë pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, 494 persona konsiderohen zyrtarisht të infektuar dhe 25 prej tyre e humbën betejën me sëmundjen. Ndërsa gati gjysma e të infektuarve janë shëruar tashmë nga sëmundja, BIRN sjell historitë e shtatë të mbijetuarve dhe betejën e secilit prej tyre me COVID-19.

Donika: Kisha kaq shumë frikë se mos nuk ia dilnim
“Kur hapa derën e shtëpisë, m’u duk e pabesueshme. U ula në korridor e puthja pragun. Kur isha në spital, kisha kaq shumë frikë se mos nuk ia dilnim. Kam rilindur!”
Donika u rikthye me emocione të forta në shtëpinë e saj në Fier, pas 16 ditësh dramatike si paciente e COVID-19 në spitalin Infektiv në Tiranë. Por gëzimi i saj nuk ishte i plotë.

“…shkova me tim shoq dhe u ktheva vetëm, por sot jam e lumtur, pasi tamponi i doli negativ. Më e keqja kaloi,” thotë ajo e lehtësuar.

Çifti i bashkëshortëve nga Fieri, Donika 57 vjeç dhe Luçi 63 vjeç u diagnostikua me COVID-19 më 20 mars. Sëmundja trokiti papritur dhe simptomat i shfaqi i pari bashkëshorti, i cili vuan edhe nga diabeti. Pas tre ditësh me temperaturë të lartë dhe kollë, burrë e grua vendosën të telefonojnë 127-ën. Të dy rezultuan pozitivë, por fillimisht u dhanë një trajtim në shtëpi, i cili zgjati vetëm 4 ditë. Më pas, gjendja e Luçit u rëndua dhe vendosën t’i nisnin drejt Tiranës.

Në kujtesën e Donikës, momenti i ngjitjes në ambulancë është rrënjosur si ndër më të vështirët e jetës së saj.
“Ishte ora 1 e gjysmë e natës, sirenat e autoambulancës gjëmonin pa pushim. Shumë lajme jo të mira kishim dëgjuar, ndaj kur vura këmbën në atë makinë për të ardhur drejt Tiranës, nuk mund ta fsheh: m’u drodh zemra. Pata shumë frikë, sidomos për bashkëshortin, pasi ai ishte rëndë,” kujton ajo.

Ditët në spitalin Infektiv nuk ishin më të lehta. Për 12 ditë, Donika qëndroi së bashku me të shoqin në një dhomë reanimacioni në katin e dytë. Por gjendja e të shoqit u rëndua, ndërsa për një moment, ai humbi gati 62% të funksionit të mushkërisë. Donika tregon se çdo dy orë i vendosej aparatura e oksigjenit për të ndihmuar frymëmarrjen, ndërsa ajo qante në heshtje dhe lutej që gjithçka të shkonte mirë.

“Shihja me zemër të ngrirë nivelin e oksigjenit, rrahjet e zemrës, e përgjoja çdo lëvizje të fytyrës së tij, ndërsa ai nuk mund të më shikonte se e pengonin aparaturat…Nuk e di, kanë qenë me të vërtetë momente dramatike që kemi kaluar,” tregon ajo.

Donika e përshkruan veten si një grua me shëndet të hekurt, që s’ka vuajtur kurrë më parë nga ndonjë sëmundje –madje as nga një grip i zakonshëm. Edhe COVID-19 e goditi atë në një formë më të lehtë sesa bashkëshortin, ndonëse komplikacionet nuk munguan. Gjatë ditëve të qëndrimit në spital, edhe 57-vjeçarja pati nevojë për oksigjen, por e mori atë në formë nazale. Ndërsa një ditë pati kriza të tmerrshme barku, u rrëzua në mes të dhomës dhe u bë pis –por infermierët dhe sanitarët e “lanë si një fëmijë” dhe e qetësuan duke i dhënë kurajo.

Shqetësimi kryesor vazhdoi të mbetej shëndeti i të shoqit dhe kujdesi për të mos alarmuar fëmijët –me të cilët thotë se bënte vetëm telefonata të shkurtra dhe asnjëherë në video.

“Vajza është e martuar dhe jeton në Amerikë, ndërsa djalin e kemi këtu. Nuk bëja telefonata video, sepse s’doja të na shihnin në atë gjendje, flisja pak me ta dhe sa për t’i vënë në dijeni për gjendjen. Falë Zotit gjithçka shkoi mirë,” thotë ajo.

Gjatë dy javëve të trajtimit në Infektiv, mjekët dhe infermierët e spitalit ishin mbështetja më e madhe për çiftin nga Fieri. Por kontakti i parë me ta nuk ishte i thjeshtë.

“Ti pret të shohësh njerëz, por në fakt ti shikon ca astronautë. Fillimisht as nuk i kuptoja kur flisnin, e kjo ta rrit ankthin. E ke parasysh: ti do ta shohësh në fytyrë, ta shohësh në sy, të dish se me kë po flet…por kjo ishte vetëm ditët e para. Pastaj fillova t’i njihja nga zëri dhe ishin të gjithë aq fjalë-ëmbël në gjithë atë ferr që na kishte mbërthyer, sa jam e sigurtë se fjalët e tyre kanë qenë një terapi shumë e mirë për ne,” thotë ajo.

Mes stafit të mjekëve, Donika veçon doktoreshë Najada Çomon si të papërtuar dhe të palodhur, doktor Piperon si dhe doktor Renaton [mjeku radiolog Renato Osmanaj]-i cili sa herë e merrte në telefon, e bënte për të qeshur dhe i ngrinte humorin. Ajo është mirënjohëse edhe ndaj stafit të infermierëve, për të cilët thotë se u treguan aq njerëzore dhe të mrekullueshëm, sa duruan çdo tekë të pacientëve dhe u qëndruan atyre pranë për çdo nevojë.

“Dhe ujë, sa ujë që na pihej. Na thahej fyti, i thirrshim infermierët dhjetëra herë e kurrë nuk dallova tek ta një shenjë pakënaqësie,” kujton ajo, ndërsa shton se u është borxhlie për gjithë jetën. Tashmë në shtëpinë e saj, Donika kujton se lajmet e këqija dhe stresi kanë qenë bashkëshoqërues të sëmundjes dhe e kanë rënduar edhe më shumë qëndrimin e tyre në spital. Ndaj 57-vjeçarja ka marrë një vendim: të mos e ndezë më televizorin, të mos lexojë lajmet dhe të qetësohet në të gjitha kuptimet.

Megjithatë, një mendim nuk e lë atë të qetë, ndërsa ende nuk e di se si ajo dhe i shoqi ranë në kontakt me virusin.

“Unë jam e fiksuar pas pastërtisë, plus që kur dolën këto rregullat e reja, dezinfektoheshim të dy vazhdimisht…Por kjo sëmundje nuk pyeska,” përfundoi Donika.

E mbijetuara 90-vjeçare: Jeta të dhimbet
Kur në Tiranë u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19, familjarët e nisën nënë Nifen në Has për ta mbrojtur nga rreziku i infektimit. Por ndodhi ajo që s’pritej dhe 90-vjeçarja u infektua në fshatin e saj të origjinës. Pas 7 ditësh trajtimi mjekësor, Nife Pecaku doli e shëruar të shtunën nga spitali Infektiv në Tiranë. Fotoja e saj, e fiksuar ndërsa përshëndeste me dorë stafin shëndetësor, bëri një xhiro shpresëdhënëse në rrjetet sociale, pasi u postua fillimisht në faqen në Facebook të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Unë jetoj në Tiranë, por sapo dolën rastet e para, së bashku me nipin dhe mbesën erdhëm në Has, këtu në fshat, për t’u ruajtur nga kjo korona,” thotë nënë Nifja, tashmë e izoluar në shtëpi.

Nifja

Përveç moshës së thyer, burimi i shqetësimit të fëmijëve dhe nipërve të saj ishin edhe dy sëmundjet shoqëruese të diabetit dhe hipertensionit. Por 90-vjeçarja i mbijetoi sëmundjes falë kujdesit të pakursyer të familjarëve dhe më pas të mjekëve që e kuruan. Vetëm pak ditë pas izolimit të 90 vjeçares në fshat, një person i infektuar me koronavirus humbi jetën nga sëmundja në bashkinë e Hasit. Familjarët e nënë Nifes u alarmuan, pasi ajo kishte takuar një të afërm –kontakt me viktimën, i cili rezultoi më pas me COVID-19 bashkë me 5 anëtarë të tjerë të familjes.

“Normale që meraku ishte i madh, pasi unë vuaj nga diabeti, tensioni…Megjithëse unë nuk kisha asnjë shenjë. As kollë, as temperaturë, veçse ndjehesha shumë e lodhur ama,” tregon nënë Nifja.

Të shqetësuar nga shenjat e lodhjes, familjarët këmbëngulën që 90-vjeçares t’i bëhej sa më parë tamponi, në mënyrë që infeksioni të trajtohej shpejt. Koha ishte një faktor që e ndihmoi atë të fitonte mbi sëmundjen. Analiza e tamponit rezultoi pozitive për nënë Nifen dhe negative për nipin dhe mbesën, që kishin qëndruar gjatë gjithë kohës duke u kujdesur për të. Më 4 prill, ajo u shtrua në spitalin Infektiv në Tiranë, ku i nisën menjëherë trajtimin me antibiotikë.

“Ama kur u shtrova në spital më thënë të drejtën më kapi pak frika, se jeta të dhimet,” rrëfen 90-vjeçarja. “Fillova të kisha problem, mezi merrja frymë, më dukej sikur dikush më kishte kap prej fyti, dhimbje mesi e më dhimte i gjithë trupi…por kur shihna tanë ata doktora e infermiera që më rrinin te koka, u qetësova e deshi Zoti gjithçka shkoi mirë,” shton ajo për BIRN. Në shtatë ditët e qëndrimit në spital, nënë Nifja thotë se nuk është ndjerë asnjëherë e vetmuar. Ndërkohë, fjalët e mira të mjekëve ia shtuan optimizmin dhe i larguan frikën.

“Në telefon flisja me djemtë, me nipër, mbesa, doktorët më vijshin 100 herë në ditë më kontrollonin, diabeti m’u rregullua, tensionin e kishim në rregull, e gjithë ajo frikë që kisha m’u zhduk, pasi doktorët më thoshin vetëm fjalë të mira,” shton ajo. Pas daljes nga spitali, Nife Pecaku është rikthyer në shtëpinë e saj të fshatit për të vazhduar izolimin post-spitalor.

“Tani jam e mbyllur brenda në dhomë, jam mirë, djali sapo më solli ushqimin, televizorin e kam, telefonin e kam, me njerëz jam e rrethuar. Kur dua, dal e marr ndonjë rreze diell,” përfundon plot optimizëm 90-vjeçarja.

Sejdiu: Për çka duhen lekët, kur s’kemi shëndetin?
Ndryshe nga nënë Nifja që pati simptoma të lehta të COVID-19, këngëtari i muzikës popullore në Kosovë, Muhamet Sejdiu nuk e pati aspak të thjeshtë betejën me sëmundjen.

Muhamet Sejdiu Në Spital

“Kam qëndruar në spital 16 ditë dhe mund të them se ajo java e parë ka qenë më të vërtetë një sfidë me të panjohurën,” thotë Sejdiu, ndërsa shton se sëmundja preku edhe bashkëshorten e tij, por në një formë më të lehtë.

Dy bashkëshortët Sejdiu ishin të vetmit që u infektuan në familje, ndërsa djemtë dhe të afërmit e tjerë u kursyen nga virusi. Në fillim, ata e morën sëmundjen me sportivitet dhe filluan trajtimin në shtëpi. Por gjendja u rëndua pas 3-4 ditësh dhe Sejdiu u detyrua të shkonte për kontroll në spital.

“Unë shkova me makinën time, se isha i bindur që ishte diçka e lehtë, por mjekët vendosën që të shtroheshim që të dy,” tregon ai.

Shëndeti i këngëtarit u rëndua edhe më tej në spital, ndërsa filloi të kishte kriza frymëmarrjeje. Niveli i oksigjenimit i kishte rënë ndjeshëm, ndërsa në 4-5 ditët e para kishte nevojë për aparatura për t’u mbushur lirshëm me frymë. Sejdiu e përshkruan stresin dhe përballjen e parë me mjekët po aq të vështirë sa betejën me sëmundjen. Si shumë pacientë të tjerë me COVID-19, edhe Sejdiu tregon se veshja e çuditshme e mjekëve nuk e lejonte t’i shihte, por mësoi më pas t’i njihte nga zëri.

“Kanë qenë ditë të vështira e të stresuara, pasi edhe lajmet e këqija nuk na linin të qetë,” tregon ai. “Aty brenda në spital, mjekët janë heronjtë…” shton ai.

Me të ardhura të mira financiare dhe shtëpi të cilën e quan ‘relativisht të mirë”, Sejdiu thotë se nga kjo sëmundje ka marrë edhe një leksion të rëndësishëm jete.

“Kur ishim të shtruar në spital, gruaja po merrte diçka në çantë dhe hapi portofolin që kishte një shumë të konsiderueshme parash e më pyeti: Për çfarë na duhen, nëse nuk kemi shëndetin? Ne e fituam këtë betejë, e tashmë lutemi që gjithçka të kalojë sa më lehtë për të gjithë,” thotë ai. Pas 16 ditësh qëndrimi në spital dhe dy testesh negative, rikthimi në shtëpi ka qenë momenti më i bukur për çiftin Sejdiu, por sërish i vështirë.

“Djali i vogël na thoshte ‘vetëm një përqafim dua’ e për bashkëshorten sidomos ishte një moment i vështirë, por rezistuam. Ashtu siç po digjem nga malli të shkoj të takoj nënën time, por po rezistojmë,” përsërit ai.

Çifti nga Tropoja: U jemi borxhlinj mjekëve
Myftar dhe Have Kuçana u rikthyen “shëndoshë e mirë” në shtëpinë e tyre në Tropojë pas qëndrimit për 13 ditë si pacientë të COVID-19 në spitalin Infektiv në Tiranë. Çifti rreth të 80-ave i është falenderues Zotit dhe mjekëve për trumfin mbi sëmundjen, të cilën e quajnë të frikshme.

Të dy bashkëshortët bëjnë pjesë në kategorinë e personave të rriskuar; ndërsa vuajnë të dy nga diabeti dhe tensioni si dhe kanë kaluar secili nga një operacion të vështirë më parë. Megjithatë, kur u shfaqën simptomat e para, ata menduan fillimisht se kishin të bënin me një grip.

“Nëntë ditë rrjesht patëm të dy temperaturë 38 deri në 38.5, kishim pak kollë, dhimbje trupi dhe filluam të ndjeheshim të lodhur. Por nuk kishim shenja të rënda që të dyshonim dhe po të mos ishte kjo frika, do kishim menduar se ishte një grip i thjeshtë,” thotë Have Kuçana. Gjyshër të dy studentëve të Mjekësisë, ata iu nënshtruan testit dhe dolën të dy pozitivë. Kur erdhi momenti për t’u nisur në Tiranë, ata u përballën me frikën.

“Kur hipëm në ambulancë e u nisëm drejt spitalit, ai ishte një moment i keq. Patëm frikë, patëm shumë frikë me thënë të drejtën. Edhe ne vetë, por edhe familjarët tonë,” tregojnë të moshuarit.

“Ne vuajmë e marrim ilaçe edhe për sëmundje të tjera, e u frikësuam se mund të kishim komplikime. Por për 13 ditë të qëndrimit në spital gjithçka shkoi mirë. Gjendja jonë ka qenë e qëndrueshme,” shtuan ata.

Dita e parë në spital përshkruhet gjithashtu e frikshme nga Have Kuçana. “Kur i shihje doktorët e infermierët me ato veshjet, u dridhëm me thënë të drejtën, por më pas nuk kisha më frikë. Ata ishin aq të mirë e aq të përkushtuar sa ne u jemi borxhlinj,” thotë ajo, ndërsa shton se doktoreshë Alda u ka qëndruar te koka dhe madje i ka shëruar me fjalët e mira.

“Pas dy a tri ditësh që ishim shtruar erdhi te krevati, na kapi dorën e megjithëse ne ishim me doreza e ajo me atë veshjen e madhe, m’u duk sikur e takova prej vërteti…Na qetësonte me fjalët që na thoshte, ishte pastaj doktoreshë Majlinda, një infermier që nuk ia mbaj mend emrin, por të gjithë aty ishin të mirë dhe të sjellshëm me ne, deri ditën e 13 që kemi dalë nga spitali,” shton e moshuara.

Prekja e bashkëshortëve Kuçana nga COVID-19 shkaktoi dhimbje dhe ankth tek të gjithë familjarët e tyre. Shota, vajza e tyre e kthyer pak kohë më parë nga Italia, i tha BIRN se nipi dhe mbesa ishin ata që e vuajtën më shumë. “Ditën që ata i kanë nisur drejt infektivit, djali im i ka shoqëruar derisa i kanë hipur në autoambulancë e më pas ka ardhur në shtëpi duke qarë. Ishte aq i shqetësuar, sa doli dhe shkoi në një vend të shenjtë për të ndezur një qiri. Njëjtë edhe vajza e vëllait kaloi një periudhë stresi, pasi të dy kishin frikë se mos ishin ata shkaktarët e infektimit,” tregon Shota.

Fatmirësisht, asnjë prej familjarëve të tjerë nuk ka shfaqur asnjë simptomë. E vetëkarantinuar në shtëpi pas kthimit nga Italia, Shota thotë se “po i plas shpirti” për të takuar prindërit.

“I pashë nga dritarja kur i sollën, para 4 ditësh dhe i ngjitën lart në shtëpinë e tyre në katin e pestë. Sot kam ditën e fundit të karantinës, e mezi po pres ti takoj,” thotë ajo e mallëngjyer.

I riu nga Vau i Dejës: Njerëzit fillojnë e të shohin shtrembër
Një 35-vjeçar nga Vau i Dejës, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit thotë se shumë sesa COVID-i, atë e sëmuri stresi. I riu ishte ndër rastet e para në qarkun e Shkodrës që u konfirmua pozitiv, ndërsa më pas koronavirusi preku edhe familjarët e tij.

Familjarët, mes të cilëve edhe gjyshja 75-vjeçare e kaluan sëmundjen pa komplikime. Por vetë 35-vjeçari u shtrua për tetë ditë në spitalin Infektiv në Tiranë, pasi shfaqi simptoma të temperaturës dhe kollës së rënduar. “Në fakt unë nuk kisha ndojë komplikim, megjithëse me thënë të drejtën, frikë kisha. Kjo sepse para tre muajsh kisha kaluar një ftohje në mushkëri e nuk isha mjekuar dhe filloi të më rëndohej kola. Por me ta thënë të vërtetën, më shumë se sëmundja, kisha stres,” thotë ai.

Për një pacient me COVID-19 stresi gjenerohet nga disa burime. Çfarë nuk dëgjoja në TV, çfarë nuk lexoja, pastaj kur shihja doktorët dhe infermierët të veshun në atë formë, ku nuk më shkonte mendja dhe filloi të më rritej frika dhe më kapi edhe tensioni, që unë nuk kam vuajtur kurrë. 8 ditët që kam qëndruar në spital kam pas temperaturë 38-39, dhimbje trupi, por gjithçka shkoi mirë,” shton ai.

I shëruar nga virusi, i riu nga Vau i Dejës duket se nuk i ka kaluar ende përjetimet e këqija që e shoqëruan sëmundjen. Ai është i mërzitur edhe nga mënyra se si përcillet informacioni, ndërsa i druhet stigmës në qytezën e tij të vogël.

“Jo po e kemi marrë kur kemi qenë në Itali, jo po lani duart…po larja e duarve është e përditshme, nuk është vetëm për sot. Këto deklarata kështu nuk më pëlqejnë, se njerëzit fillojnë e të shohin shtrembër,” thotë ai.
“Kush më shumë se unë do të kujdeset për familjarët e mi? Na e kanë futur armikun në shtëpi,” shton ai i revoltuar. 35-vjeçari ka lënë prej ditësh spitalin dhe ndodhet i vetëkarantinuar në shtëpi me familjarët e tij. Megjithatë, frika nga virusi nuk është shëruar plotësisht.
“Po lexojmë e thonë se mund të rikthet sërish, e sigurisht që për ne është frikë. Nuk duam ta kalojmë më këtë situatë paniku”, përfundoi ai. /Reporter.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rama: Transporti i dedikuar mjekëve

“Nga mesdita nuk ka më autobusë!”


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!