MENU
klinika

Por, shkencëtarët thonë se do rikthehemi në izolim

Trump thotë se Amerika do hapet…

18.04.2020 - 18:00

Me rreth 22 milion njerëz të papunë, bllokimi i koronavirusit mori një kthesë të pakëndshme për qeveritarët e shteteve amerikane. Punëtorët dhe pronarët bllokuan rrugët e Lansing, Michigan, duke u rënë borive të makinave dhe kamionëve, që të lejojnë bizneset të hapen. Protesta më të vogla u zhvilluan në Virxhinia, Kentucky, Ohio, Karolinën Veriore dhe Juta.

Megjithë mungesën e qartësisë, rihapja duket sikur është në mendjen e gjithkujt. Presidenti Donald Trump njoftoi të enjten, se “ne jemi në frontin tjetër të luftës sonë, të cilën po e quajmë, “Hapja përsëri e Amerikës.” Guvernatori Gavin Newsom i Kalifornisë tha se çdo plan për të hapur shtetin do të “udhëhiqet nga shkenca dhe të dhënat”.

Ekziston një konsensus që jeta nuk do të kthehet në normalitet derisa shkencëtarët të kuptojnë se si të shkatrrojnë virusin ose me një vaksinë, ose me trajtime që të sëmurët të mos vdesin në respiratorë. Trajtimeve të reja do t’u duhen muaj të tërë dhe një vaksinë është të paktën një vit larg.

Atëherë, si do të negociojmë muajt e ardhshëm? Shumica e planeve paraqesin një skenar pas mbylljes në të cilin jeta nuk do të ishte saktësisht normale, por do të ishte gjithësesi një përmirësim i bllokimit. Njerëzit do të mbanin maska kur të dilnin jashtë, disa biznese do të rihapen me masa paraprake që njerëzit të ruajnë distanca sociale, tubimet e mëdha do të ndaloheshin dhe baret do të qëndronin të mbyllura.

Monitorimi do të duhej të bëhej në nivel lokal, që do të thotë se testet duhet të jenë të lira, të bollshme dhe të shpejta. Paul Romer, një profesor në Universitetin e Nju Jorkut, bën thirrje realizimin e testeve për çdo person në vend çdo dy javë – më shumë se 20 milion teste në ditë. Por testimi në këtë shkallë nuk do të ndodhë së shpejti. Pa testimin dhe gjurmimin, i vetmi mjet në dispozicion për të mbajtur në kontroll shpërthimin është distanca sociale.

Pa një vaksinë ose trajtime efektive, izolimi do të duhet të vazhdojë deri në vitin 2022, derisa njerëz të mjaftueshëm të kenë krijuar imunitet ndaj virusit për të mbrojtur më të prekurit, kjo njihet si imuniteti i tufës. Mungesa e alternativave për distancimin shoqëror e bën jashtëzakonisht të vështirë kthimin në normalitet. Derisa shkencëtarët të vijnë me një zgjidhje tjetër – një vaksinë, një trajtim apo një zgjerim drastik të kapaciteteve, duket se distanca sociale dhe izolimi do të jetë mënyra e jetesës për një kohë të gjatë. / CNN