MENU
klinika

Jaka: Nëse ndërhyrja do ishte eficiente...

“Biznesit i duhet pesë vjet për të marrë veten”

22.05.2020 - 10:57

Pavarësisht se nuk ka ende një faturë financiare të dëmeve që lë pas COVID-19 në vendin tonë, një gjë është e sigurt: bizneseve do t’u duhen disa vite të rimarrin veten.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, koha e rikthimit të sipërmarrjes private në “shina” mund të shkojë deri në pesë vjet. “Do të jetë një periudhë e gjatë rikuperimi. Në kushte normale, kur ndërhyrja duhet të ishte eficiente, mund të duhej një periudhë një apo dyvjeçare. Por, duke parë trendin e sipërmarrjes private, si dhe largimet nga puna, parashikojmë që biznesit t’i duhen pesë vjet për të rimarrë veten”.

Në intervistën për “News 24”, Jaka kërkon hapje të plotë të barrestoranteve si dhe kufijve me dy vendet fqinje, me qëllim për t’i dhënë hov një prej industrive më të prekura nga pandemia, turizmit. Gjithashtu, ndërtimi që ka vazhduar punën, pavarësisht Covid, do të preket konsiderueshëm për shkak të kërkesës që do të vijë në ulje, si shkak i pasojave që lë koronavirusi.

TURIZMI

Krahas standardizimeve dhe certifikatave të huaja për turizmin, vende të botës po implementojnë dhe certifikatën e Covid-19. Kreu i Dhomës së Tregtisë kërkon njohjen imediate nga qeveria dhe shmangien e protokolleve të fryra, që pengojnë ecurinë normale të një prej sektorëve më të rëndësishëm.

“Qeveria shqiptare duhet të bëjë në mënyrë urgjente akreditimin dhe njohjen e kësaj certifikate dhe të heqim dorë nga protokollet e fryra, që janë një kosto e jashtëzakonshme për sektorin e turizmit dhe të respektojnë certifikimin e fundit, në mënyrë që këto struktura hoteliere turistike të përballojnë në mënyrën e duhur kërkesa të logjikshme dhe praktika të njohura të vendeve të tjera, me qëllim që t’i shërbehet turistit me standardin e duhur, pa fryrë kostot dhe shpenzimet apo edhe presionet kontrolluese që rëndom shkojnë në çdo strukturë hoteliere apo restorante”. Sipas Jakës, sektorët e hapura së fundmi pjesërisht, turizmi e restorantet, vazhdojnë të jenë të bllokuara me kufizimet e vendosura. Ndaj, i kërkoj qeverisë të marrë në konsideratë heqjen e fashës orare.

HAPJA E KUFIJVE

Një pakt i Shqipërisë me dy vendet fqinje, Maqedoni e Kosovë, për Jakën, do të lëvizte diçka në ekonominë vendëse, veçanërisht në sektorin e turizmit, të ardhurat e të cilit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të GDP-së në vend. “Nevojitet një pakt i përbashkët, Shqipëri-KosovëMaqedoni, në mënyrë që të kemi një lëvizje komplementare dhe një ngarkesë për pjesën e turizmit që të përballojë edhe fluksin që mund të vijë nga qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë”. I pyetur nëse duhet të ketë një hapje të kufijve, kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh se ajo është një marrëdhënie që duhet rikrijuar mes shteteve, por me rëndësi është hapja me Maqedoninë e Kosovën në muajin qershor.

KËRKESAT PËR QEVERINË

Përveç paketës së kërkesave, të drejtuara qeverisë për të ndihmuar bizneset në kolaps, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka në plan t’i dërgojë qeverisë një tjetër platformë për të mbushur boshllëqet e dy paketave të para, me qëllim që ekonomia shqiptare të mos shkojë në kolaps. “Që në fillim, kur u aplikuan masat shtrënguese, kemi bërë kërkesë për të përballuar emergjencën dhe suportuar industritë e mbyllura 100%, ndërkohë kemi kërkuar që të mbështetet edhe pjesa tjetër e sipërmarrjes private. Para se të dilte paketa e dytë, sipërmarrja shqiptare e unifikuar i ka dërguar qeverisë shqiptare një paketë me tetë kërkesa, ku janë të specifikuara edhe për fazën emergjente, edhe gjatë pandemisë, në mënyrë që të mundësojë që sipërmarrja private të jetë të paktën në statusin e stand by. Nga ana tjetër, po bëhemi gati për të propozuar një platformë se si mund të përballohen mangësitë që lanë dy paktet e para dhe ringritja post-Covid”, i shpreh Jaka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive