MENU
klinika

Përjashtim nga taksa e infrastrukturës

Detajet/ Qeveria zgjeron gamën e bizneseve që përfitojnë

05.05.2020 - 08:32

Ligjit për përjashtimin e taksës së infrastrukturës i shtohet edhe një tjetër kategori biznesesh. Përmes publikimit të projektligjit për “Sistemin e taksave vendore”, qeveria tregon se ka vendosur të zgjerojë bazën e bizneseve që nuk do të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, duke përfshirë këtu edhe ato biznese aktiviteti të cilave është dëmtuar nga coronavirusi.

“Përjashton nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë investimet për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Kjo bazë është zgjeruar edhe në kuadër të fatkeqësisë natyrore të COVID-19, e cila ka impaktuar veprimtarinë e operatorëve ekonomikë si rezultat i mbylljes së veprimtarisë së bizneseve në fushën e shërbimeve, të turizmit etj., reduktimit të theksuar të veprimtarisë prodhuese në jo pak sektorë, reduktim të konsumit të karburanteve për shkak të kufizimeve në lëvizjen e tyre”, thuhet në relacion.

Pra, menjëherë propozohet si emergjencë përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe për investimet të cilat nuk janë vetëm në kuadër të investimeve për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, por përfshihen edhe programi i objekteve të reja dhe programi i ndërtimit të infrastrukturës publike dhe të infrastrukturës kritike. Saktësisht në relacion specifikohet se, përfitues të këtij lehtësimi, nuk do të jenë vetëm bizneset e prekura nga tërmeti, por edhe ata që janë prekur nga fatkeqësi të tjera natyrore, siç është në rastin konkret koronavirusi.

Referuar të dhënave të projektligjit, zakonisht kjo taksë aplikohet tek bizneset para se ata të pajisen me lejen e ndërtimit, por kategoritë e lartpërmendura përjashtohen.

“Kjo taksë, aplikohet përpara dhënies së lejes së ndërtimit, ku si bazë e taksës është sipas rastit vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet sipas preventivit, ose vlera në lekë e çmimit të shitjes për metër katror të investimit të ri”, përcakton ligji.