MENU
klinika

Çpo ndodh me shtyllat e forta të Europës?!

Gjykata Kushtetuese fuqizon Gjermaninë përballë Evropës

16.05.2020 - 12:03

Ishte vendimi i fundit i kryetarit në largim të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane: në krye të një paneli gjyqtarësh, Andreas Voßkuhle i vuri pikëpyetje vendimit të dy instancave qendrore evropiane, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Pas tri vjetësh shqyrtimi të lëndës, gjykata më e lartë gjermane i kërkon Bankës Qendrore Evropiane të argumentojë se i mban parasysh pasojat për shtetet e tjera, kur me paratë e tyre u blen obligacione disa shteteve të Eurozonës.Image

Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese gjermane shpërfill një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë: në dhjetor 2018 kjo gjykatë evropiane e kishte quajtur të drejtë blerjen e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.

Në Bashkimin Evropian ky vendim ka rënë si shok. Mediet franceze flasin për një “ultimatum” gjerman ndaj Evropës. Kurse në shtypin britanik flitet për sulm të Gjermanisë: kundër pavarësisë së Bankës Qendrore Evropiane. Dhe kundër sistemit juridik evropian. Presidentja (gjermane) e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi në përgjigjen që i dha një eurodeputeti të Gjelbër se ajo po shqyrton mundësinë e hapjes së një procedure për shkelje kundër Gjermanisë. E drejta evropiane është detyruese për gjykatat nacionale.

Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të CDU-së (dhe kandidati eventual për kancelar të Gjermanisë), Friedrich Merz e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese Federale aq të rëndësishëm, sa të shkruajë “histori juridike evropiane”.

Çfarë përmban kërkesa e Gjykatës Kushtetuese Federale gjermane, që ka shkaktuar këto valë tronditjeje në Evropë?

Gjykata Kushtetuese Gjermane i kërkon Bankës Qendrore Evropiane që brenda tri muajsh t’i paraqesë argumenta: se i ka mbajtur parasysh “proporcionalisht” pasojat anësore për shtetet e tjera kur ka blerë obligacione të shteteve në krizë. Po të mos e dëshmojë dot këtë, atëherë Banka Qendrore Evropiane duhet t’i kthejë Gjermanisë obligacionet, letrat me vlerë të saj. Në këtë rast, Banka Qendrore Gjermane duhet të shkëputet nga programi evropian i blerjeve.

Çfarë e shtyu Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë për vendimin e saj?

Që prej vitit 2015, Banka Qendrore Evropiane blen me shumicë obligacione të sektorit publik të shteteve të Eurozonës. Për këtë ajo shfrytëzon edhe një formulim disi të paqartë në një deklaratë të liderëve të BE të qershorit 2012.

Në fund të qershorit 2012, pas diskutimeve të mundimshme Bashkimi Evropian ra dakord që të rimbushë me kapital bankat italiane dhe spanjolle, të tronditura nga kriza e Euros. Kjo do të bëhej me blerjen e obligacioneve të këtyre shteteve nga Banka Qendrore Evropiane. Deklarata e takimit përmban edhe formulimin e paqartë se fondet evropiane mund të përdoren në mënyrë “fleksible”.

Kancelarja Angela Merkel e kundërshtoi atëherë formulimin në fjalë. Ajo tha se me paratë evropiane duhet të mbështeten vetëm bankat e rëndësishme për sistemin, në shtetet e Eurozonës. Në rast se do të veprohej ndryshe, ajo tha se do të përdorte veton.

Më parë Gjermania kishte bërë lëshime të rëndësishme: kishte hequr dorë nga statusi i kreditorit të preferuar për programin e shpëtimit të eurozonës. Kjo ua hoqi mundësinë investorëve privatë të ndikojnë programin e shpëtimit të eurozonës. Dhe i ekspozoi taksapaguesit e Eurozonës para të njëjtit rrezik, sa edhe kreditorët privatë.

Më tej Gjermania kishte pranuar që rikapitalizimi i bankave të bëhej direkt nga Banka Qendrore Evropiane, që të mos thellohej borxhi i shteteve përfituese. Blerjen e obligacioneve të mos e kontrollonte më qeveria e një shteti, por Mekanizmi Evropian i Kontrollit Bankar, që u themelua në vitin 2014.

Pas kësaj, Presidenti i atëhershëm italian i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi aplikoi nga marsi 2015 blerjen në stil të gjerë të obligacioneve të shteteve në krizë: për të nxitur konjukturën dhe për të luftuar inflacionin e ulët. Për Programin e Blerjeve të Sektorit Publik të BQE (Public Sector Purchase Programme” (PSPP)), kritikat nuk kanë rreshtur.

Sidomos shtetet nordike të Eurozonës e kanë kritikuar Bankën Qendrore Evropiane se ka shkelur mandatin e saj, për stabilitetin e euros dhe po bën politikë: po u pastron me para evropiane librat e llogarive bankave jo të rëndësishme, jo sistemore të shteteve në krizë. Se po u siguron “likuiditet kompanive ekonomikisht të paqëndrueshme”. Se Banka Qendrore Evropiane po financon kështu shtete kryesisht jugore, duke i kaluar borxhet e tyre në Evropë.

Çfarë ndodhi tani?

Kryesisht qarqe konservatore sipërmarrësish e politikanësh në Gjermani e paditën në Gjykatën Kushtetuese gjermane blerjen e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane. E quajtën shkelje të të drejtave që ua garanton kushtetuta gjermane. Dhe Gjykata Kushtetuese gjermane u dha  të drejtë në disa pika.

Paditësit kishin argumentuar se blerjet e obligacioneve të shteteve në krizë ndikojnë negativisht te taksapaguesit gjermanë: në “rritjen e borxhit”, në pakësimin e “kursimeve personale, në çmimet e pasurive të patundshme (në Gjermani), në skemat e pensioneve”. (Pakënaqësia në Gjermani me Bankën Qendrore Evropiane është gjithsesi e madhe për shkak të politikës së interesave bankare zero, që i ka zhvlerësuar kursimet e gjermanëve.)

Cila është rrugëdalja nga kjo situatë?

Qeveria gjermane ka deklaruar zyrtarisht se e konsideron të zgjidhshme këtë çështje: Banka Qendrore Evropiane do të paraqesë argumentimin e kërkuar dhe kontestimi merr fund.

Në Berlin thonë se as qeveria gjermane nuk e ka shkelur kushtetutën gjermane me pjesëmarrjen në programin e obligacioneve. Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz kujtoi se gjykata gjermane “konstatoi qartë se programi i obligacioneve të Bankës Qendrore Evropiane nuk është financim monetar i shteteve.”

Gjykata Kushtetuese i dëshmon qeverisë se mund ta rifitojë kontrollin e parave gjermane

Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese gjermane e fuqizon me këtë vendim Gjermaninë. Në krizën aktuale të Covid-19 kryesisht shtetet latine të Eurozonës, Franca, Spanja, Italia, ndaj Gjermanisë bëjnë të njëjtin presion si në qershor 2012: kërkojnë financimin e bankave vendase me para nga një fond evropian rindërtimi. Kërkojnë që të jepen grante, që të mos u thellohet borxhi kombëtar shteteve marrëse. Blerjen e huave të shteteve në krizë, si Italia, Banka Qendrore Evropiane e rinisi edhe pak javë më parë.

Gjykata Kushtetuese Gjermane i ofroi qeverisë gjermane një bazë juridike: që po ta quajë me vend, në bazë të kushtetutës gjermane, Gjermania mund ta kthejë te vetja kontrollin e parave gjermane, që jepen për Evropën.

Kjo është ende e mundur në kushtet kur bashkimi bankar në eurozonë është në fillimet e tij, megjithë hapat e vitit 2012. Eurozona është ende vetëm bashkim monetar, mungojnë institucionet vendimmarrëse politike.

Të mërkurën (13.03.) kancelarja Angela Merkel tha në Bundestag se vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjermane e detyron qeverinë gjermane të veprojë me mençuri “që Euro të vazhdojë të ekzistojë.”

Nga Berlini kancelarja Merkel i dërgoi të mërkurën një sinjal edhe Francës, kur e kujtoi këtë fakt në Bundestag.  Ajo tha se “nuk duhet ta harrojmë kurrë çfarë tha (francezi) Jacques Delors përpara se të prezantohej Euroja: na duhet edhe një bashkim politik, vetëm një bashkim monetar nuk mjafton.”

Një interpretim i kësaj deklarate është: përderisa nuk i kemi institucionet politike të Eurozonës, me kompetenca mbi financat e shteteve anëtare, pra edhe të Gjermanisë, presionet aktuale evropiane ndaj Gjermanisë për grante e Eurobonde nuk kanë bazë institucionale e juridike. Madje ato mund të arrijnë efektin e kundërt. Sipas disa vëzhguesve, në një rast ekstrem presioni mund ta detyrojë Gjermaninë edhe të largohet nga Eurozona./DW/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN