Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje që të respektojnë masat dhe rekomandime e institucioneve shëndetësore.
Ai thotë se jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij, transmeton KOHA.
“Që nga data 4 maj 2020 kemi filluar me masat e reja që janë paraparë gjatë fazës së parë të hapjes graduale lidhur me pandeminë COVID-19. Të gjithë jemi krenarë për suksesin tonë në uljen e dukshme të lakores së virusit në Kosovë. Gjatë 13 ditëve të fundit, çdo mbrëmje kemi pasur arsye për t’u gëzuar sepse ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar. Në dy javët e fundit kemi 460 të shëruar e vetëm 90 të infektuar (pra, mbi pesëfishin)”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se s’është momenti për t’u relaksuar.
“Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka thënë Kurti.
Sipas tij pa pasur një vaksinë ndaj këtij virusi është shumë e vështirë mposhtja e armikut të padukshëm.
“Sigurisht se kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja. Andaj, le të vazhdojmë të respektojmë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së”, ka thënë Kurti.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që: Të shmangim vizitat familjare dhe shoqërore, të qëndrojmë në shtëpi, të mbajmë distancën, të durojmë edhe pak, e fitorja do të jetë e jona.