MENU
klinika

VIDEO/ "Pa drejtësi nuk ka paqe"

Nuk ndalen protestat e dhunshme në SHBA kundër vrasjes së afro-amerikanit

31.05.2020 - 14:19

Demonstratat në dhjetëra qytete të SHBA për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd nën prangat e policisë së Mineapolis, u shndërruan përsëri në dhunë të shtunën mbrëma.

Megjithë ndalimqarkullimet dhe dërgimin e trupave të Gardës Kombëtare në të paktën 12 shtete, për të ndihmuar në frenimin e dhunës dhe plaçkitjeve, trazirat vazhduan deri të shtunën vonë.

Associated Press njofton se afro 1.400 njerëz janë arrestuar në 17 qytete që nga e enjtja. Më shumë se një e treta e arrestimeve u bënë të premten në Los Angeles, tha AP.

Një oficer policie në Atlanta u plagos pasi u godit nga dikush duke hipur në një fuoristradë. Polici “pësoi lëndime të konsiderueshme”, sipas Departamentit të Policisë në Atlanta. Personi që sulmoi pësoi lëndime të vogla dhe u arrestua, tha policia.

Pasdite vonë të shtunën, Presidenti Trump shprehu në Twitter mbështetjen për trupat e Gardës Kombëtare në Minesota dhe policinë e Nju Jorkut. Ai kritikoi kryetarin e bashkisë së Mineapolisit, duke thënë se trupat e Gardës duhej të ishin aktivizuar më shpejt. Disa minuta më vonë, presidenti përsëri komentoi në Twitter për të shprehur vlerësimin për policinë e Nju Jorkut.

“Garda Kombëtare, – shkruan presidenti Trump, është mobilizuar në Mineapolis për të bërë punën që kreu demokrat i bashkisë nuk mundi ta bënte. Duhej të ishte përdorur dy ditë më parë dhe nuk do të kishte patur dëmtime. Stacioni i policisë nuk do të ishte shkatërruar. Punë e shkëlqyer nga Garda Kombëtare. Pa lojëra!”

Në Uashington, protestuesit u mblodhën përballë Shtëpisë së Bardhë dhe hidhnin thirrje në drejtim të trupave të policisë që rrinin në gatishmëri matanë një barriere prej hekuri. Ata thërrisnin “Pa drejtësi nuk ka paqe” dhe herë pas here hidhnin shishe me ujë dhe sende të tjera drejt policisë.

Gjatë katër netëve të fundit, protestat fillimisht paqësore degjeneruan në plaçkitje, zjarrvënie dhe dhunë të llojeve të tjera në Mineapolis dhe Saint Paul të Minesotës si dhe në qytete të tjera kudo në Shtetet e Bashkuara.

“Jemi nën sulm,” tha guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili premtoi se do të përdoret “forcë maksimale” për të rivendosur rendin.

Guvernatorët në të paktën 11 shtete të tjera – Xhorxhia, Kentaki, Ohajo, Uiskonsin, Kolorado, Juta, Uashington, Kaliforni, Tenesi, Mizuri dhe Teksas, aktivizuan gjithashtu trupat e Gardës Kombëtare për të ndihmuar në shuarjen e protestave që në shumë zona janë shndërruar në dhunë.

Disa kryetarë bashkish kanë shpallur ndalimqarkullime gjatë natës për shkak të dhunës në qytetet e tyre si, Los Anxheles, Siatëll, Portland, Atlanta, Denver, Kolumbia dhe Filadelfia.

Demonstruesit po protestojnë për vdekjen e George Floyd, i cili i shtrirë në tokë me një oficer të bardhë që i ka vënë gjurin në qafë. Floyd, i cili duket në video i prangosur me duar pas shpine, mund të dëgjohet duke thënë: “Nuk po marr dot frymë”./ VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Skenari i fundit/ Çfarë shkruajnë mediat e huaja?

Vrasja që ka trazuar Amerikën me protesta të përgjakshme