MENU
klinika

Nga Veton Surroi

Plazhi si detyrim integrimi

09.05.2020 - 11:41

Nga Veton Surroi

Ngritja e traut në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë puer koronavirusin do të jetë si heqje e plotë e kufirit mes dy vendeve. Si të bëhet një “liri e vendosjes së shëndoshë”

1.
Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ende kanë dallime mes vete – përfshirë edhe konfliktin e papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë, por do të ballafaqohen në javët që vijnë me një sfidë e cila mund t’i detyrojë të mendojnë jashtë sjelljeve të deritanishme e drejt të kuptuarit në kontekstin e një hapësirë të përbashkët.

Dhe sfida quhet plazhi, gjegjësisht plazhi pasi të ketë kaluar faza e parë e pandemisë COVID-19. Nëse mbesin indikatorët që janë tani, atëherë çështja e plazhit do të duket si një problem dhe një sfidë pozitive njëkohësisht. Problemi është se Shqipëri dhe Mali i Zi, dy vendet e WB6 (shkurtesën e BE-së për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor që ka hyrë në përdorim ditor) që tani i kanë të anuluara të gjitha prenotimet e bëra më herët, kryesisht nga Evropa Lindore dhe ajo Qendrore. Këto prenotime vështirë se do të ripërtërihen në momentin e fundit, ngase pushimet janë pjesë të një rregulli planifikimi familjar e nuk duket se një familje ukrainase, ruse apo sllovake zgjohet më 1 qershor, e dalë nga çrregullimi që solli COVID-19, dhe të thotë se prioriteti i parë është të gjejë një aranzhim turistik për në Durrës apo Budvë. Për më tepër, e tërë kjo do të varet prej normalizimit të trafikut ajror, e kjo do të mbetet me një pikëpyetje të madhe për javë e muaj.

Shenjat e para, e prenotimet e bëra në shkurt e mars janë ato që paralajmërojnë sezonin që në fillim të vitit, qartazi nuk janë të mira. Për Shqipërinë e Malin e Zi, 20 për qind e ekonomisë e të cilave varet drejtpërsëdrejti nga turizmi, një paralajmërim i këtillë është shenjë se do të goditen edhe sektorët e tjerë të ekonomisë, si bujqësia apo ndërtimtaria, dhe në fund të ardhurat publike.

2.
Një pjesë të humbjeve të llogaritshme që tani mund të paramendohet se mund të mbulohen me turizëm të brendshëm, dhe kjo është e vërtetë posaçërisht për Shqipërinë. Nëse nuk ka fluturime për polakët e ukrainasit për në Shqipëri, mund lehtë të paramendohet që të mos ketë fluturime për shqiptarët që duan të shkojnë në Antalia. Nga 1.5 miliardë euro që shqiptarët i çojnë në turizëm jashtë, një pjesë e madhe mund të mbetet brenda.

Por kjo nuk do të mjaftojë. Shqipëria dhe Mali i Zi sivjet varen më së shumti nga turisti që vjen me autobus dhe veturë, e të parët që mund ta bëjnë këtë janë fqinjët (pastaj edhe nga autobusët që sjellin hungarezë polakë etj.). Varen, pra, në radhë të parë prej katër shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo gjë nuk është e re; qytetarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë së Veriut janë turistë të Shqipërisë e Malit të Zi, ata të Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës zakonisht në Mal të Zi.

E reja është që do të bëhet përpjekje për rikthim turizmi pasi të ketë kaluar faza e parë e pandemisë dhe pa ditur se si do të zhvillohet më tutje. Do të bëhet përpjekje për të krijuar bashkëjetesë mes turizmit dhe koronavirusit. Dhe, testi i parë për Shqipërinë e Malin e Zi do të jetë jo vetëm si të hapen plazhet, por si të hapen kufijtë?

3.
Nuk ka dyshim se kjo është çështje e rendit të parë për qeveritë e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, ashtu sikurse është që nga fillimi i krizës i shteteve të Bashkimit Evropian që ndërmorën hapin e paprecedent të mbylljes së përkohshme të kufijve shtetërorë. Dhe, përderisa te shtetet e BE-së rihapja e kufijve është pothuajse obligim moral – sepse çfarë kuptimi do të kishte BE-ja nëse ndalohet njëra prej lirive fondamentale, ajo e lëvizjes brenda BE-së, në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, për shembull çështja e moralitetit merr rendin e dytë të rëndësisë para një faktori të quajtur nevojë. Shqipëria e Mali i Zi sot (dhe Kosova e Serbia nesër, për shembull, gjatë sezonit të skijimit) kanë nevojë t’i kenë kufijtë e hapur për lëvizje të papenguar.

A nuk do të duhej ta adresonte këtë problem projekti i keqquajtur “mini-Shengen”, a nuk ishte ky projekt mu i drejtuar kah liria e lëvizjes? Do të duhej të ishte, por nuk ishte i ndonjë ndihme. Gjatë kësaj krize të pandemisë , BE-ja në mënyrë të suksesshme arriti t’i bindë shtetet e WB6 që të hapin korridoret e transportit të lirë të mallrave, dhe që të gjitha shtetet e respektuan këtë pa vendosur pengesa administrative. Pa ndërhyrjen e BE-së, kjo nuk do të ndodhte.

Por BE-ja nuk ka pse të ndërhyjë që Shqipëria dhe Kosova ta hapin kufirin për qarkullimin e njerëzve gjatë sezonit turistik. Kjo është tash punë e këtyre dy shteteve, dhe momenti që ato të dyja ta kuptojnë se në momentin kur të hapet kufiri nuk do të pengojë hyrjen e njerëzve e as të virusit. Sfida imediate për të dyja autoritetet është të kuptojnë se heqja e kufizimeve në kufi – në aspektin virusologjik – është e barabartë me heqjen e plotë të kufirit. Pra, që të dy shtetet do të jenë një hapësirë e përbashkët “mjekësore” (ta quajmë ashtu) dhe do të kërkojë trajtim të unifikuar mjekësor. Kjo do të thotë se një person nga Ferizaj apo Prishtina ka potencial të njëjtë që ta japë virusin apo ta marrë atë në plazhin në të cilin takon një person nga Shkodra apo Tirana.

Problemi shumëzohet kur të shikohet në kontekstin e Ballkanit Perëndimor. Personi nga Gostivari, Sarajeva apo Kragujevci mund të jetë bartës apo marrës i virusit në Sarandë a Vlorë, aty ku rri një person nga Kruja, Kurbini apo Elbasani.
Liria e synuar e lëvizjes nuk e ndal virusin, përkundrazi, e nxit. Dhe tash këto shtete kanë nevojë për “Iirinë e lëvizjes së shëndoshë”.

4.
Kjo është çështja e cila duhet së shpejti të shtrohet në nivel politik, të qeverive të Ballkanit Perëndimor, për dy arsye themelore. Një, nevoja konkrete në rastin konkret të hapjes së sezonit turistik; pra adresimi i një çështjeje që ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve dhe atë të ekonomisë. Dhe dy, ngase nuk do ta bëjë kush në emër të qeverive të WB6. Konceptualisht, detyra projektuese fillon me një të vërtetë të thjeshtë që e solli koronavirusi, se ai ecën me këmbët e njeriut. Dhe se do të ecë pa problem mes shteteve të WB6 nëse shtetet e WB6 nuk vendosin se e kanë një hapësirë të përbashkët që duhet ta mbrojnë.

Shqipëria e Mali i Zi t’i prijnë një kthese interesante në procesin politik të bashkëpunimit mes shteteve të WB6: si të ndërtohet një koncept i mbrojtjes së shëndetit si e mirë e përbashkët nëpërmjet bashkëpunimit të institucioneve – institucioneve të shëndetit publik, atyre të sigurisë e mbrojtjes – ashtu siç kanë bashkëpunuar ato institucione brenda vendeve të tyre.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!