MENU
klinika

Nga Valon Murati

Presidenti, tregimi i Bahriut dhe ripërcaktimi i kufijve

23.05.2020 - 15:39

Ndonëse premtoi se nuk do të ketë diskutim prej tij për ndarjen e kufijve, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana tjetër ai flet për një korrigjim kufiri.

As Kosova dhe aq më shumë Serbia, duken se nuk kanë ndërmend ta mbyllin këtë çështje pa përmbushur interesat e tyre. Dhe siç dihet, përmbushja e secilës prej këtyre interesave, do të lërë të pakënaqur njërin nga dy shtetet.

“Na mbet’ lufta te dera”, do të shkruante Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati teksa citonte një rrëfenjë mbi luftën e Kosovës në vitet ’90. Dhe në fund kishte qenë e nevojshme lufta për tu fituar liria, shkruan ai.

Në vazhdën e shtrimit të çështjes, Murati shkruan dhe për idenë e tij, se çfarë duhet bërë nëse duam zgjidhje të përhershme me Serbinë.

“Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar të tjerët në rrethana të tjera, e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.”, shkruan kreu i LB-së.

Më poshtë shkrimi i plotë:

1. Presidenti në intervistën e fundit në ‘Rubikon’ me Adriatik Kelmendin ripërsëriti qëndrimet e tij të kohëve të fundit se është kundër shkëmbimit të territoreve e njëkohësisht duke qenë krejt i paqartë se çka nënkupton ai me korrigjim të kufijve. Synimin se do të punojë për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën tani më nuk e paraqiti si projekt politik për të cilin do të angazhohet seriozisht dhe i cili është i mundshëm, por si dëshirë. Madje si një dëshirë goxha e parealizueshme. Si dëshirë, besoj nuk ka shqiptar që është kundër. Por në thelb presidenti e la të nënkuptohej se nuk do të merret me atë punë. Ngadalë, pasi që projektin që nga fillimi e shpërfaqi jo të qartë për qytetarët (paqartësi që i frikësoi një pjesë të mirë të tyre), po rikthehet me qëndrime tek pjesa tjetër e klasës politike, e frikësuar dhe refuzuese ndaj kësaj ideje për arsye e interesa të ndryshme, por asnjëra në funksion të interesit publik e kombëtar. Po rikthehet ta dojë më shumë Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë. Po rikthehet në pozicionin që e bëjnë të gjithë politikanët tanë mediokër, jo t’i prij procesit, jo ta mbrojë çështjen me guxim e vizionaritet prej burrështetasi, por të pres si të gjithë të tjerët. Nëse kjo realizohet si pjesë e ndonjë kompromisi të imponuar nga ndërkombëtarët, mbi të gjitha amerikanëve, atëherë mund ta pranojnë ndoshta të gjithë liderët bashkë. E në këtë vazhdë presidenti edhe mund të lavdërohet pak. Dhe në fund do të thotë ai, dhe të gjithë të tjerët se ky në të vërtetë është korrigjimi i kufirit. Nëse nuk ndodh gjë, apo dështojnë bisedimet atëherë do të vazhdojnë betimet në integritet territorial, por pa ide e kreativitet për zgjidhje për qytetarët e këtij vendi. Ndërsa intimisht të gjithë e dinë se çdo stabilizim i përhershëm i Kosovës shkon përmes një marrëveshjeje finale me Serbinë. Duam apo nuk duam ne. E ironia është se do të duhej të donim, sepse është interes yni jetik.

2. Duke fol presidenti, e duke i ndryshuar fjalët ku me ditë sa herë këto vitet e fundit, mu kujtua një tregim që na e tregonte shpesh Bahri Fazliu gjatë viteve 90’. Ishte periudha e përpjekjeve tona për fuqizimin e radhëve të politikës së luftës së armatosur çlirimtare dhe Bahriu me natyrën e tij të dashur e humorin e mprehtë tregimet dinte t’i vendoste në kontekstin e rrethanave të kohës. Diku në Llap, djali e baba vijnë në përfundim se nuk largohet Serbia pa luftë. Por vendosin t’i thërrasin edhe burrat e katundit që ta kuvendojnë këtë punë e të fillojnë të organizohen. Pasi vijnë burrat e katundit në odën e tyre, djali e baba e hapin bisedën rreth luftës. Ata fillojnë t’u thonë bashkëvendësve se rrugë tjetër veç luftës së armatosur nuk ka andaj duhet të bëhen bashkë e të fillojnë të organizohen për luftë. Por pasi çelet muhabeti i luftës, mysafirët fillojnë të largohen ngadalë një nga një e pa u hetuar shumë. Largohen as pa thënë natën e mirë. Në fund në odën e tyre, mbesin vetëm djali e baba. Atëherë djali i thotë babës: “babë po më duket që na mbet lufta te dera”. Duke e kujtuar këtë tregim të një kohe të rëndë, më shkoi mendja sesi kjo puna e ripërcaktimit të kufijve na ‘mbet te dera’ ne LB-së prapë. Situata nuk është krejt e lehtë e as për humor, por më e rëndë ishte gjithsesi në vitet 90’. Andaj me vete këtë krahasim që papritur më erdhi ndër mend, teksa dëgjoja presidentin, e përcolla me një buzëqeshje ironike.

3. Sidoqoftë edhe në këtë rast e kisha ngushëllim fundin e tregimit të djalit dhe babës. Në fund lufta kishte qenë e domosdoshme për t’u fituar liria dhe e pashmangshme për shkak të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Andaj si djali e baba që kishin pas mbet vetë, por në fund veç lufta ishte zgjidhja për lirinë e Kosovës, pa marrë parasysh se çka thonë presidentët tanë, kryeministrat (ish, aktual e në ardhje), liderët e pozitës e opozitës, analistë e gazetarë, nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç marrëveshjes finale që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve. Nëse duam zgjidhje të përhershme të problemeve me Serbinë, nëse e duam Kosovën shtet funksional, nëse duam heqje të privilegjeve të padrejta dhe rrjedhimisht bllokuese për pakicën serbe (jo edhe të drejtat e tyre), nëse e duam ndryshimin e kushtetutës për t’i bërë këto ndryshime të mëdha, nëse duam hapjen e rrugës për bashkim, nëse duam stabilitet, sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, nëse mendojmë pak për shqiptarët e Kosovës Lindore që janë pjesë e pandarë e jona, këtë e mundëson vetëm ideja e ripërcaktimit të kufijve. Pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubint Potokut e Zveçanit me Serbinë. Të tjerat zgjidhje janë jashtëzakonisht të zymta madje të errëta për Kosovën. E para është të mos kemi marrëveshje fare dhe të mbesim në këtë status quo degraduese, rrënuese e drobitëse. Pa pranim në organizata ndërkombëtare, pa zhvillim ekonomik, pa sundim të ligjit, peng të betejave të brendshme politike që për qëllim do të kenë gjithmonë ‘çështjet e mëdha’ të pazgjidhura me Serbinë. Rrjedhimisht do ta kemi edhe në krye edhe këtë garniturë politike, me gjuhën e sjelljen e njëjtë politike. Dy zgjidhjet e tjera të mundshme mund ta hapin rrugën e bosnjëzimit të Kosova (të shpresojmë jo edhe të libanizimit) përmes ndonjë marrëveshjeje që do të krijonte ose asociacionin ose autonominë për veriun. Qoftë varianti më i butë i asociacionit, qoftë ajo i autonomisë kombinuar me privilegjet bllokuese që serbët kanë me kushtetutë dhe ndikimin e Serbisë tek ta, do ta bënin Kosovën një shtet krejt jofunksional. Me këto opsione do të vazhdohet vuajtja e qytetarëve të këtij vendi edhe për dekada. E në fund, në vend të ripërcaktimit të kufijve sot, do të kemi vërtetë ndarjen e Kosovës nesër. Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar të tjerët në rrethana të tjera, e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat