MENU
klinika

Koronavirus

Rrëfimi i pazakontë i njeriut që injektoi i pari në trup vaksinën kundër COVID-19

01.05.2020 - 10:36

Një javë më parë, të enjten e kaluar në Oxford në Mbretërinë e Bashkuar nisën provat e para të vaksinës kundër coronavirusit duke shënuar një moment shprese në mbarë botën. Dy shkencëtarë, doktorantë të Universitetit të Oksfordit ishin të parët që e morën këtë vaksinë mes 800 personave të rritur të moshës nga 18 deri ne 65 vjeç. Ata janë Elisa Granato, një italiane dhe Edward O’Neill me origjinë nga Australia.

800 personat e parë që janë vaksinuar, jo të gjithë kanë marrë doza të coronavirusit, disa prej tyre kanë marrë doza vaksine kundër meningjitit por ata nuk e dinë se cilën nga ato dy vaksina janë injektuar në trupin e tyre. Kjo, për arsyen se ata nuk duhet të mendojnë se janë të mbrojtur dhe kështu të jenë të pakujdesshëm.

Sot në gjitha botën janë të infektuar mbi 3 milionë e 200 mijë njerëz dhe kanë humbur jetën rreth 230 mijë. Në vendin tonë janë 773 të prekur dhe 31 viktima. SARS-COV-2 ka futur krejt botën në izolim që prej marsit duke rrezikuar edhe shkatërrimin e ekonomisë dhe vaksina duket si e vetmja mënyrë për të krijuar imunitetin e masës, i cili do ta zhdukë pandeminë dhe do të na rikthejë në jetën normale.

Pikërisht Universiteti i Oksfordit është i pari që e testoi këtë vaksinë tek njerëzit dhe duket se faza e parë, ka shkuar shumë mirë. Emisioni “Ilva Now” zhvilloi këtë të enjte një intervistë ekskluzive me australianin Edward O’Neill, i cili siç e theksuam është një ndër 2 personat e parë që janë vaksinuar kundër sëmundjes së COVID-19. Po si ka qenë java e parë e tij që nga momenti i injektimit?

Australiani rrëfeu ndjesitë e para pas injektimit të vaksinës në trupin e tij. Ai thekson se së bashku me një italiane vullnetare, bazuar edhe në rregullin e studimit, nuk duhej ta dinin se çfarë vaksine realisht kanë injektuar në trupin e tyre; vaksinën e coronavirus apo atë të meningjitit.

“Ndihem mirë aktualisht, jam i shëndetshëm për momentin. Studimi kërkonte që ne të mos e dinim nëse kishim bërë vaksinë normale apo vaksinën e coronavirusit. Kjo ndodhi 1 javë më parë. Ne ishim 2 veta, dolëm vullnetarë, unë dhe dikush tjetër që u injektuam ose me vaksinën e coronavirusit ose me të meningjitit. Të dyja këto të japin simptoma normale të vaksinës dhe ndaj nuk e dimë saktësisht se çfarë vaksine kemi marrë dhe nuk jemi të lejuar të dalim jashtë, të jemi të guximshëm apo qëllimisht të infektohemi. Ne nuk jemi të vetmit që kemi marrë vaksinën”, tha ai.

Postdoktoranti me origjinë nga Australia, i cili vazhdon studimet në Universitetin e Oksfordit tregon më tej edhe frikën me të cilën u ndesh pasi injektoi dozën kundër sëmundjes se COVID-19. Ai thotë se ka pritur dy ditë për të parë nëse ky injektimi do të shoqërohej me efekte anësore.

“Unë isha ndër 2 të parët. Pas kësaj u deshën të prisnin 2 ditë të siguroheshin që nuk kishte efekte anësore të menjëhershme dhe më erdhi mirë që nuk kishte efekte. Kjo do të thotë që janë përfshirë shumë njerëz të tjerë, nuk e di numrin saktësisht por me sa kam parë sot, ka pasur shumë njerëz që kanë hyrë e kanë dalë. 1 javë më parë. Vaksina përfshin një injeksion dhe pastaj presim. Ka një grup të vogël pjesëmarrësish që injektohen. Do të ketë 2 doza të vaksinës për të parë nëse do të jetë më efektive, prandaj bëhet tek një numër i vogël. Ne nuk ekspozohemi ndaj coronavirusit në mënyrë të qëllimshme, ne thjesht duhet të sillemi si në ditët tona normale dhe ka një mundësi për t’u infektuar sepse virusi është në komunitet”, u shpreh doktoranti i Oksfordit.

Por çfarë e shtyu atë të dalë vullnetar për të injektuar një dozë eksperimentale kundër kësaj sëmundjeje, e cila ka gjunjëzuar shumë vende të zhvilluara të botës. Ai shprehet në “Ilva Now” se nuk kishte frikë të injektonte këtë vaksinë në trupin e tij pasi besonte se ishte tërësisht në duar të sigurta.

“Unë ashtu si shumë të tjerë, sepse kishte shumë të tjerë që kishin dëshirë të përfshiheshin në studim dhe u duhesh të ndalohej përfshirja e të tjerëve sepse kishte më shumë se 5 mijë njerëz që donin të regjistroheshin në 2 ditët e para dhe unë isha me fat që u përfshiva në studim. Pra unë si shumë të tjerë, kisha dëshirë të ndihmoja, unë gjithashtu jam i interesuar në shkencë. Nuk isha i shqetësuar për rrezikun, e dija që kjo vaksinë u ndërtua mbi një teknologji që njihej dhe që ishte e përdorur tashmë pët të zhvilluar vaksinën e MERS që ishte një lloj tjetër coronavirusi dhe që është testuar në shumë njerëz. Pra nuk isha i shqetësuar për sigurinë apo për rrezikun tim personal. Unë e di që jam në duar të sigurta dhe e di që çdo rrezik i mundshëm që mund të ndodhë është në kontroll dhe e di që jam në duar të sigurta. Unë e di që vaksinat janë një mënyrë e sigurt për të zhvilluar imunitetin e masës dhe e di që coronavirusi është një sëmundje shumë e keqe, prandaj zgjodha të merrja vaksinën dhe potencialisht të merrja edhe coronavirusin”, shtoi ai.

Vullnetari dhe doktoranti i Oksfordit flet edhe për detyrat që u janë caktuar nga shkencëtarët për çdo simptomë të mundshme, të cilat shfaqen në trupin e tyre gjatë fazës testuese.

“Studimi na sugjeron që të raportojmë të gjitha simptomat tek qendra dhe ata mbajnë regjistra ditorë dhe sigurohen që ne të kontrollojmë temperaturën dhe gjakun. Jam besimplotë sepse çdo gjë është e mirëmenduar për të gjitha simptomat që shfaqen nga vaksina raportohen plotësisht në regjistrat këtu në Mbretërinë e Bashkuar dhe kështu e dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë. Unë ndihem mirë, por unë e di dhe kam besim të plotë se ky studim është bërë shumë mirë dhe jam i bindur që po përparon dhe e di që kanë mësuar shumë nga kjo”, u shpreh ai.

Ai beson se vaksina është e sigurt të paktën në këtë fazë, por nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë më tej.

“Është pak e vështirë të dish nëse funksionon në kuptimin e kohës se kur do ta dinë që funksionon. Duhet thjesht të presim e të shohim. Vaksina duket se është e sigurt në këtë fazë, nuk ka efekte anësore të menjëhershme që do të ndalonte injektimin tek njerëzit e tjerë. E dimë këtë të paktën për këtë fazë. Që ta dimë nëse është efektive duhet që t’i ekspozojmë njerëzit ndaj virusit. Ngaqë koronavirusi është potencialisht një virus i rrezikshëm dhe ne e kemi parë impaktin në botë, nuk është etike që në mënyrë të qëllimtë të ekspozohen njerëzit tek virusi. Pra do ta hedhim këtë vaksinë tek popullatat që janë më shumë në rrezik, që janë punonjësit e vijës së parë në spitale që kanë më shumë mundësi të ekspozohen apo edhe në zona të tjera të Mbretërisë së Bashkuar që kanë risk të lartë të koronavirusit dhe në këtë fazë do të mund të kuptojmë në muajt e ardhshëm që me shpresë, prova është e suksesshme. Do të kuptojmë se sa shumë mbrojtje jep vaksina”, nënvizoi ai.

Vullnetari më tej shprehet se ky studim po bën të pamundurën për të prodhuar vaksinën, me qëllim goditjen finale të pandemisë globale të COVID-19.

“Unë jam i kënaqur nga fakti që ky studim po bën çmos të prodhojë vaksinën pavarësisht se jemi duke pritur nëse është efektive. E di që po bisedojnë me shumë shpërndarës dhe fabrika dhe jam i kënaqur që dëshira e tyre është ta vënë në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur dhe se ka një kuptueshmëri ekonomike që nuk do të ndodhte në një botë normale por tani nuk jemi në një botë normale. Kam dëgjuar se deri në shtator do të ketë deri në një milion doza, por e di që kanë interesin e madh për të bërë sa më shumë të munden”, shtoi ai.

Por si ndiqen nga studiuesit personat, të cilët tashmë kanë në trupin e tyre një dozë të injektuar kundër COVID-19, z. Edward O’Neill shpjegon si vijon: “Unë jam në kontakt të rregullt me studiuesit, bëj gjithashtu teste gjaku të rregullta, ata kontrollojnë nëse unë jam mirë, ata marrin gjakun tim për të parë nëse prodhohen antitrupa kundër coronavirusit nëse unë jam injektuar me vaksinën kundër coronavirusit në mënyrë që të kuptojnë më shumë shkencërisht se sa e efektshme është kjo vaksinë apo sa antitrupa prodhohen, gjithçka që mund të mësojnë nga kjo. Por unë jam në kontakt të vazhdueshëm, kam një numër telefoni që mund ta telefonoj nëse jam i shqetësuar. Nëse unë kam simptomat e coronavirusit, ata duan të dinë nëse kam coronavirus për të ndihmuar studimin, për të parë nëse vaksina është efektive. Prandaj vijnë tek unë të më testojnë për të parë nëse kam coronavirus”, tha ai.

Ai tregon se nuk e di nëse është i prekur apo jo nga coronavirusi, por gjithsesi ai pret rezultatet e vaksinës.

“Në këtë fazë nuk kam patur ndonjë simptomë që të jem i shqetësuar por nuk m’i kanë thënë të gjitha. Di që e kontrolluan gjakun tim përpara se të vaksinohesha për të parë nëse kisha antitrupa për coronavirusin në gjak për të kuptuar nëse e kisha kaluar pa e vënë re. Me sa di unë nuk jam ekspozuar ndaj coronavirusit”, theksoi më tej Edward O’Neill.

Postdoktoranti i Oksfordit thekson se shkencëtarët e këtij universiteti kanë punuar me studimet e tyre, ndërsa shprehet optimist për ecurinë që do të ketë puna e tyre në gjetjen e zgjidhjes finale për të mposhtur sëmundjen e coronavirus.

“Një gjë për të cilën jam i gëzuar është se skuadra e Oksfordit ka punuar për shumë vjet përpara kësaj për sëmundjen X. Ata kanë punuar përpara me vaksinën e MERS. Ata kanë punuar për t’i paraprirë duke shpresuar se kjo nuk do të ndodhte kurrë, por janë përgatitur për një pandemi të mundshme si kjo, dhe për këtë mund të duket se vaksina e Universitetit të Oksfordit është e nxituar, por nuk është kështu. Është përgatitur për shumë vite, me një punë kërkimore të kujdesshme. Janë treguar të kujdesshëm me studimin, duke u siguruar se kishin të gjithë të dhënat e nevojshme dhe rezultatet kanë qenë përpara injektimit tek njeriu dhe janë bërë sa më shpejt që mundej sepse e kuptuan urgjencën e kësaj. Por është e vështirë që njerëzit të kenë besim tek vaksina. Ata po bëjnë të gjithë punën e mundshme për të siguruar se kjo vaksinë është e sigurt”, përfundoi ai.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!