MENU
klinika

Shkak bëhet Koronavirusi

Shtyhet censi i popullsisë dhe banesave

05.05.2020 - 08:16

Insituti i Statistikave pritej që këtë vit, të kishte një nga “sipërmarrjet” më të rëndësishme siç është Censi i Popullsisë dhe Banesave por situata me koronavirusin e ka lënë pezull këtë aktivitet.

Në raportin vjetor të insitucionit INSTAT vlerëson se së pari ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit e vitit të shkuar dhe tashmë COVID-19 kanë bërë që situata të mbetet pezull dhe në rastin më të mirë të ndiqet shembulli i vendeve të tjera që e kanë shtyrë censin.

“Situata e krijuar nga Covid-19 dhe politikat e shtetit shqiptar për përballimin e fatkeqësisë natyrore, detyroi INSTAT të rishikonte prioritetet dhe aktivitetet statistikore për tu realizuar këtë vit. Pezullimi i veprimtarive përgatitore për Censin e Popullsisë dhe Banesave, i cili ishte parashikuar të kryhej në tetor të këtij viti, e bën të pashmangshme shtyrjen e këtij aktiviteti madhor për një kohë tjetër, ashtu sic kanë vendosur edhe vendet e tjera të Evropës. Megjithatë, ne do të vazhdojmë kryerjen e aktiviteteve përgatitiore për realizimin e Censit, si një nga projektet më madhore të institucionit dhe shtetit shqiptar. Këto aktivitete do të marrin për bazë gjetjet e Pilotit të Censit të vitit 2019 si edhe situatat e emergjencave të fundit që kanë ndodhur, siç janë tërmeti i Nëntorit të 2019 dhe Covid-19”, vlerëson INSTAT.

Por çfarë pritet që të realizohet gjatë vitit 2020 në funksion të Censit.

Së pari parashikohet që të hartohet projektakti specifik “Për censin e popullsisë dhe banesave”. Projektakti do të mundësojë përafrimin e standardeve të reja të Kombeve të Bashkuara për censet e radhës si dhe do të shërbejë si akti bazë për nxjerrjen e akteve të tjera të karakterit operacional, duke patur parasysh ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë.

Po kështu pritet që gjatë 2020 të përgatitet kryerja e një tjetër testi të Cens, qëllimi i të cilit është që të testohen elemente të ndryshëm bazuar në gjetjet e pilotit të kryer gjatë vitit 2019. Aktivitetet do të vazhdojnë me përditësimin e zonave specifike në terren të censit (ZC), kryesisht zona të prekuara nga fatkeqësia natyrore (Tërmeti i 26 Nëntorit të 2019) dhe objekte në ndërtim gjatë 2019.

“Gjithashtu, aktivitetet e hartave të cens në fazën e para-numërimit do të vazhdojnë me: kontrollet e cilësisë të të dhënave të ardhura nga terreni dhe përditësimin e gjeodatabazës, përditësimi i kufijve të Zonave të Censit, gjeokodifikimi i njësive gjeografike, përgatitjen e hartave dixhitale të Zonave të Cens, për të gjithë zinxhirin e stafit të terrenit – anketues, kontrollor dhe mbikqyrës, krijimin e hartave ”smart” (geodaatabase/map format) sipas kërkesave të Njësisë së TI për tu testuar/aksesuar/integruar në aplikacionin e pyetësorëve të censit”, thuhet në raport.